Jaka: Serbia po dominon tregun shqiptar dhe atë kosovar

Aktualitet

jakaKreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri, Nikolin Jaka, flet në një intervistë për KosovaPress, për problemet e tregtimit të produkteve shqiptare, jo vetëm mes Shqipërisë dhe Kosovës por edhe më gjerë me vendet e tjera të rajonit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas tij, Serbia po dominon me produktet e saj në tregjet shqiptare, dhe kjo nuk duhet lejuar në përmasa të pakontrollueshme nga qeveritë e vendeve tona pavarësisht nismave rajonale për bashkëpunim tregtar, apo marrëveshjes CEFTA.

Sipas Jakës në këtë aspekt veprojnë klane të caktuara që janë afër qeverive. Ai gjithashtu komenton edhe skemat më të fundit të ndërmarra nga Qeveria Rama për mbledhjen e debive të energjisë elektrike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje. Njëkohësisht bën publike edhe një ndër nismat më të fundit në rajon për privatizimin e 2 mijë ndërmarrjeve serbe në Bujanovc, ku janë ftuar edhe sipërmarrjet shqiptare që të aplikojnë.

“Ne vazhdojmë të kemi akoma sherre për produkte që vazhdojnë të konkurrojnë në mënyrë jo të drejtë me njëra-tjetrën duke ruajtur influencat që kanë në politikë dhe kjo është një fatkeqësi për një komb me dy shtete. Në vend që të kemi një ekonomi komplementare dhe të kemi një orientim të saktë të financave të qytetarëve shqiptarë dhe të Kosovës për të qenë rentabël dhe partner dinjitoz në produktet dhe prodhimet e tyre për rajonin dhe Evropën sepse ndryshe ne nuk bëjmë gjë tjetër veçse japim mundësi dhe lëmë hapësira për futjen e produkteve jashtë trevave shqiptare në dëm të sipërmarrjes shqiptare”, thotë Jaka.

Ai thotë se qarkullimi i produkteve të Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas, ka ngërç ku del që ka klane apo interesa të ndryshme.

“Unë shoh që në qarkullimin tregtar apo në promovimin apo futjen e produkteve me origjinë shqiptare dhe kosovare ka gjithmonë një ngërç ku pa dyshim del që ka klane të ndryshme apo interesa të ndryshme, dhe normalisht që prishet dhe sistemi dhe ajo që ne e trajtojmë në ekonomi si rendimenti i produktit; mund të përmendim qumështin; mund të përmendim miellin; çimenton; materialet e ndërtimit; mund të përmendim patatet, pra janë të gjitha këto produkte që kanë prekur interesa të ngushta të klaneve të qeverive që kanë qeverisur në kohë dhe në momente të caktuara”, thekson ai.

Por, thotë se edhe Serbia mund të ndikoj në shkëmbimin tregtar mes dy vendeve, pasi Kosovën dhe Shqipërinë, Serbia e sheh si një treg të përbashkët.

Jaka me tutje ka shtuar se dy vendet duhet të kenë proteksion mbi produktet që futen nga rajoni, por që qeveritë e Shqipërisë e Kosovës, duhet të mendojnë për të mbështetur dhe për të mbrojtur me ligj brenda të gjitha konventave, pa i cenuar ato dhe marrëveshjeve të tregtisë së lirë, në mënyrë që të jetë një vlerë të shtuar për konsumatorin dhe sipërmarrjen shqiptare dhe kosovare.

Ndërsa, duke komentuar nxjerrjen në privatizim nga Serbia të mesë 2 mijë ndërmarrjeve serbe në Bujanoc, Jaka ka thënë se duhet të aplikojnë edhe bizneset shqiptare.

E, duke folur për klimën e biznesit në Shqipëri për investitorët e jashtëm, Jaka thotë se Shqipëria në dy vitet e fundit ka bërë ndryshime fiskale në tarifa, ka ndryshuar tatim-fitimin dhe sapo ka ndryshuar dividentin.

Ai thotë se është për t’u përshëndetur lidhur me klimën e krijuar të sistemit fiskal Shqipëria, por që nuk ka asgjë më shumë se sa rajoni.

“Mund të themi që në këndvështrimin e qasjes dhe atraksionit ka një ndryshim që vihet re te kërkesat e investitorëve qoftë vendas, qoftë të huaj, të cilët realisht e shohin Shqipërinë tashmë si një vend në rajon me taksat më të larta sepse ne në mbledhjen aritmetike arrin në 30 % të tatim-fitimit divident, ndërkohë që Kosova e ka 10 %, pasi është i vetmi vend në rajon që nuk ka dividend, Maqedonia e ka diku te 18 %, Serbia e ka te 25 %, dhe Mal i Zi e ka rreth 16 – 17 %, pra po t’i mbledhim të dy taksat bashkë. Kështu që në rastin konkret unë mendoj se Shqipëria është në disfavor me ofertën rajonale sidomos në sistemin e tatim-taksave”, theksoi Jaka.

Lidhur me skemën e nisur nga Qeveria Rama për mbledhjen ‘me forcë’ të debive të energjisë elektrike, por edhe aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në të gjithë vendin, Jaka tha se skema më e mirë e mundshme për ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë që të jenë në zbatim të ligjit për obligimet që u takojnë për detyrimet e shtetit sidomos për dy zërat më të rëndësishëm dhe jetikë; që është energjia elektrike dhe furnizimi me ujë të pijshëm.

Sipas Jakës kjo është lëvizja më e drejtë e mundshme që Dhoma e Tregtisë e ka përshëndetur dhe vazhdon ta mbrojë dhe ta vlerësojë lëvizjen që ka bërë Qeveria, megjithëse kjo është një nga kostot më të mëdha që mund të marrë një forcë politike në elektorat.

ME TE LEXUARAT