Unioni i Gjyqtarëve: KLD duhet të emërojë 10 magjistratët e rinj

Aktualitet

gjyqUnioni i Gjyqtarëve i ka bërë apel Këshillit të Lartë të Drejtësisë të emërojë në detyrë 10 magjistratë, të cilët prej 9 muajsh po mbahen pezull, pa u lejuar që të futen në sistemin e drejtësisë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në një deklaratë për mediat, Unioni i Gjyqtarëve shprehet se po ndjek me shqetësim gjendjen në disa gjykata, të cilat nuk po plotësohen me vendet vakante, pavarësisht se ato po punojnë nën kapacitetin e duhur.

Në lidhje me mosemërimin e magjistratëve në detyrë, Unioni shton se megjithëse janë zhvilluar disa mbedhje nga KLD, ende nuk ka një vendimmarrje të tillë, pavarësisht se KLD e ka detyrim ligjor t’i emërojë menjëherë pas diplomimit. Kjo gjendje paligjshmërie, fatkeqësisht - thuhet më tej - po kthehet në një traditë.

Deklarata e Unionit të Gjyqtarëve

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, si një organizëm që ka si qëllim mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të gjyqtarëve, e ka ndjekur me interes veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë gjatë muajve të fundit, në lidhje me procesin e plotësimit të vendeve vakante në Gjykatat e Rretheve Gjyqësore dhe të Apelit. Aktualisht disa gjykata po punojnë nën kapacitetin e tyre njerëzor, me gjithë ngarkesën e tyre gjithnjë e një rritje dhe vështirësive të tjera të karakterit administrativ dhe teknik, çka ndikon drejtpërdrejtë, në cilësinë e drejtësi-dhënies dhe zhvillimin e proceseve gjyqësore brenda afateve të arsyeshme.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë po ndjek me shqetësim të veçantë, edhe procesin e emërimit të Magjistratëve që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës, në vitin 2014. Megjithëse ka kaluar një kohë e gjatë dhe janë zhvilluar disa mbledhje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ata ende nuk janë emëruar, ndonëse është një detyrim ligjor për KLD-në, që t’i emërojë menjëherë pas përfundimit të shkollës. Unioni sjell në vëmendje të KLD-së se, fatëkeqësisht kjo gjendje paligjshëmërie po kthehet në një traditë edhe pse është në misionin e KLD-së respektimi rigoroz i ligjit në lidhje me emërimin, transferimin dhe promovimin e gjyqtarëve.

Por, mos emërimi i 10 (dhjetë) Magjistratëve, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës në muajin Korrik 2014, është një çështje që ndikon negativisht në drejtim të garantimit të të drejtave kushtetuese të qytetarëve, dhënies së drejtësisë, në buxhetin të shtetit (pasi këta magjistratë vazhdojnë të paguhen, edhe pse nuk punojnë), si dhe në nivelin e tyre profesional, si pasojë e mos ushtrimit të detyrës së gjyqtarit për një kohë të gjatë.

Pavarësisht shkaqeve dhe rrethanave që kanë krijuar dhe pengojnë zgjidhjen e këtij problemi, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkon që kjo situatë duhet të marr fund sa më shpejt, duke i sugjeruar Këshillit të Lartë të Drejtësisë që sa më shpejt të jetë e mundur, mundësisht në mbledhjen e rradhës, plotësimin e vendeve vakante në Gjykatat e Apeleve dhe atë të Krimeve të Rënda, për të cilat është bërë shpallja e publike dhe ka përfunduar afati ligjor i aplikimeve nga

kandidatët. Në këtë mënyrë, do të lirohen edhe disa vende të tjera të lira në Gjykatat e Rretheve Gjyqësore, të cilat duhet të plotësohen pa vonesë nga Magjistratët e rinj.

Nga ana tjetër, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë e sheh me shqetësim shpalljen e vendeve vakante në Gjykatat e Rretheve Gjyqësore, për t’u plotësuar nga gjyqtarë jashtë sistemit ose, nga gjyqtarë të transferuar nga njëra gjykatë në tjetrën dhe jo me Magjistratë që kanë përfunduar shkollën këtë vit. Nuk ka asnjë arsye që të veprohet në këtë mënyrë, pasi Magjistratët e rinj plotësojnë çdo kriter dhe kanë kapacitetin e mjaftueshëm profesional për t’u emëruar në çdo gjykatë të rretheve gjyqësore.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shpreh bindjen e tij të plotë se, ky apel do të mirëkuptohet dhe do të merret seriozisht prej Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi i shërben arritjes së qëllimit të përbashkët : rritjes së performancës së trupës gjyqësore në procesin e drejtësi-dhënies dhe ofrimin e një shërbimi sa më cilësor ndaj qytetarëve.

ME TE LEXUARAT