Halim Kosova pranon humbjen: Urime Veliajt, shpresoj ti mbajë premtimet

Aktualitet

halimKandidati i opozitës në Bashkinë e Tiranës Halim Kosova doli para medias për të falenderuar qytetarët. “Veçanërisht ata që besuan tek platforma ime që kishte në themel punën e dinjitetin, punën e jo fjalët. Kam patur qindra e mijëra takime me banorët e Tiranës. Do mbetet një nga përvojat më të çmuara në jetën time. Zgjova kontaktin e drejtpërdrejtë dhe jo fushatën e luksit në ekran, i bindur se kjo ishte zgjedhja më e drejtë. Falenderoj Partinë Demokratike, anëtarët dhe simpatizantët tanë, komisionerët, numëruesit, vëzhguesit që kanë punuar pa lodhur”, u shpreh Kosova.

Sipas tij zgjedhjet mbaruan dhe ndërsa numërimi ende vazhdon, fitues i kësaj gare rezulton Erion Veliaj. “E përgëzoj dhe shpresoj që ai të mbajë premtimet e të mos zhgënjejë qytetarët që i dhanë votën. Angazhimi im për qytetarët do të vazhdojë pa asnjë lëkundje asnjë çast”, theksoi ai.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Fjala e plote e Halim Kosoves:

Të dashur miq,

Bashkëqytetarë të Tiranës!

Jam këtu sot, për të shprehur falenderimet e mia të përzemërta për qytetarët e Tiranës, pa asnjë dallim partiak, veçanërisht ata që votuan me besim në platformën time që kishte themel punën dhe dinjitetin, punë jo fjalë.

Në këto dy muaj, kam pasur qindra takime me banorë të Tiranës dhe bashkëbisedimi me ju të dashur bashkqytetarë do të mbetet një prej përvojave të mia më të çmuara.

Unë zgjodha kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarin në çdo cep të Tiranës, në çdo rrugë e lagje, në çdo fshat dhe jo fushatën e luksit në ekran, i bindur se kjo ishte zgjidhja më e mirë.

Dua të falenderoj Partinë Demokratike, anëtarët e simpatizantët tanë, të rinjtë e të rejat që shkuan derë më derë, komisionerët, numëruesit, vëzhguesit, që kanë punuar pa u lodhur dhe që shumë prej tyre janë ende duke qendruar pranë votës, për të garantuar deri në fund vullnetin e qytetarëve. Ata kanë në dorë një tjetër moment të rëndësishëm, që janë votat për Këshillin Bashkiak.

Falenderoj nga zemra ekipin tim të fushatës, që punoi me shumë përkushtim.

Zgjedhjet mbaruan dhe ndërsa numërimi ende vazhdon, fituesi i kësaj gare rezulton Erion Veliaj të cilin dua ta uroj dhe të shpresoj që do ti mbajë premtimet e nuk do ti zhgënjejë qytetarët e Tiranës.

I premtoj qytetarëve të Tiranës se angazhimi im për të marrë përgjegjësi në interes të tyre do të vazhdojë pa u ndalur asnjë çast.

ME TE LEXUARAT