Biznesmeni pagoi 300 mijë euro për vrasjen e Mimoza Kusari Lilës

Kosovë&Rajon

kusariProkuroria për Krime të Rënda nis hetimet për vrasësit shqiptar, të paguar për ekzekutimin e kryetares së komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila dhe sekretarin e institucionit të saj.

ABC News ka mësuar se policia e shtetit, i ka referuar materialet hetimore për ngjarjen në fjalë, Prokurorisë së Përgjithshme, e cila pasi ka njoftuar autoritet kosovare për këtë skenar vrasjesh e ka deleguar dosjen për hetim.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Burimet thonë se njëri nga dy autorët e paguar për të bërë vrasjet, është penduar dhe ka rrëfyer të gjithë skenarin para policisë së shtetit dhe tashmë po ruhet nga agjentët e policisë. Vrasësi i penduar, që kishte marr përsipër ekzekutimin e Kusarit dhe sekretarit të komunës është një 24 vjeçar me inicialet G.N. nga Tropoja.

Burimet thonë se i riu, është kontaktuar nga 44 vjeçari, A.Shiqerukaj, që tashmë është shpallur në kërkim dhe që mendohet se ishte ndërmjetësi mes biznesmenit nga Gjakova dhe vrasësit 24 vjeçar.

Burimet thonë, se i riu ka treguar se biznesmeni i njohur në Gjakovë në fushën e hidrokarbureve, ka porositur vrasjen e kryetares së Bashkisë, Mimoza Kusari – Lila dhe sekretarin e saj, që dyshohet se ishte personi i besuar i kryetares.

Ai ka thënë hetuesve se në takimin me biznesmenin që kishte humbur tenderin e Komunës, ky i fundit i kishte premtuar se për ekzekutimin e sekretarit, njëherazi të besuarit të kryetares së komunës do të paguheshin me 60 mijë euro.

Pas kësaj ngjarje, dy vrasësit do ekzekutonin kundrejt 300 mijë eurove kryetaren e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila.

Në rrëfimin e regjistruar nga hetuesit, 24 vjeçari, ka treguar se bashkë me A.Shiqerukajn ka qëndruar dy javë në hotel Jakova, me të gjitha shpenzimet e paguara, kohë kjo për të vëzhguar dhe ndjekur dy objektivët.

Sipas dëshmisë, i riu i ka thënë hetuesve se dy pistoletat, një kallashnikov, një snajper dhe makinën me të cilën lëviznin për të ndjekur objektivët ia kishte siguruar biznesmeni gjakovar.

Në dëshmi thuhet se 4 ditë para se 24 vjeçari t’i dorëzohet policisë së Tropojës, ka tentuar të vrasë sekretarin e komunës në një parking publik por për shkak se ishte i shoqëruar me fëmijët nuk e kishin kryer atë.

Vetëm 4 ditë pas kësaj ngjarje, i riu është dorëzuar në policin e Tropojës, duke rrëfyer planin dhe më pas është transferuar drejt kryeqytetit ku është marr edhe dëshmia e plot e tij.

Burimet thonë se përveç dëshmisë, i riu është dërguar edhe në Kosovë, konkretisht në qytetin e Gjakovës ku ka treguar për hetuesit vendet e qëndrimit, takimet, bizneset e porositësit dhe pseudonimin e tij, pasi nuk i kishte treguar emrin.

Për këtë ngjarje, policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë personal ndaj kryetares së komunës së Gjakovës dhe po heton rastin për të dokumentuar me prova planin e ekzekutimit të numrit 1 të qytetit të Gjakovës.

Ndërkohë mësohet se janë shpallur në kërkim nga policia shqiptare e kosovare biznesmeni që tashmë është identifikuar dhe ndërmjetësi i tij A.Shiqerukaj.

ME TE LEXUARAT