Takim sekret? Thaçi e Vuçiç 'fluturojnë' në të njëjtin destinacion

Kosovë&Rajon

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për në Bjellorusi, ku do të marrë pjesë në hapjen e Lojërave OIimpike “Minsk 2019”.

Në Minsk do të jetë gjithashtu edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ndërkohë nuk dihet ende nëse dy presidentët do të zhvillojnë ndonjë takim, marrë parasysh zhvillimet e fundit rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe anulimit të Samitit të Parisit.

Njoftimin se Thaçi do të udhëtojë për në Bjellorusi e ka lëshuar zyra e tij, duke treguar se atje do të marrë pjesë me ftesë të Kreut të Komitetit Olimpik Evropian, Janez Kocijancic.

“Me ftesë të Kryetarit të Komitetit Olimpik Evropian, Janez Kocijancic, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për në Minsk të Bjellorusisë”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ndër të tjera, në njoftim përmendet edhe fakti se në Minsk do të ketë pjesëmarrës nga e gjithë Evropa.

“Presidenti Thaçi, bashkë me shumë përfaqësues të shteteve evropiane, do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes zyrtare të Lojërave Olimpike Evropiane “Minsk 2019””, përfundon njoftimi.

Hera e fundit kur Thaçi dhe Vuçiç janë gjendur përballë njëri-tjetrit, ka qenë Forumi ‘GlobSec’ i cili u mbajt në Bratisllavë të Sllovakisë. Më herët ata ishin takuar edhe në Samitin e Berlinit. Burimi: Gazeta Express

ME TE LEXUARAT