3-vite nga Reforma në Drejtësi, Ruçi: Moment reflektimi për të gjithë

Aktualitet

Sot në Kryesinë e Kuvendit u zhvillua ceremonia e promovimit të botimit parlamentar “Reforma ne Sistemin e Drejtësisë”, nën kujdesin e kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi.

Në fjalën e tij, Ruçi deklaroi se reforma në drejtësi është një meritë e padiskutuar e parlamentit shqiptar.

“Reforma në drejtësi është një arritje dhe shërbimi më i mirë për shoqërinë dhe qytetarët shqiptarë, për të ardhmen e vendit. ishte padyshim guximi i Kuvendit që miratoi reformën në drejtësi. Falënderoj përzemërsisht ndërkombëtarët. Falënderoj ambasadat e huaja në vend, pa mbështetjen e së cilave reforma në drejtësi nuk mund të realizohej dot. Reforma do të bëjë funksionale institucionet e reja. Kjo reformë bëri që gjykatat tona të pastrohen nga gjykatës të korruptuar”, tha ai.

Gramoz Ruçi shtoi se botimet parlamentare për reformën në drejtësi janë të hapura dhe se me anë të tyre, njerëzit dhe të interesuarit mund të mësojnë më tepër për këtë kryereformë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Botimet janë të mira për demokracinë. Libri është i hapur dhe janë pjesë e betejës sonë për drejtësi. Ky botim është dhuratë e bukur në 3-vjetorin e miratimit të reformës. Reforma në drejtësi është e pakthyeshme. Të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e Shqipërisë sigurisht që duhet të reflekojnë për të zhvilluar përgjegjësitë e veta.

Reforma është e rëndësishme, pasi mbështetet mbi praktika demokratike. Demokracia është edhe arti i kompromisit. Ndërsa, kushtetutshmëria është themeli. Për ne mbi të gjitha është Kushtetuta dhe ligji. Për këtë, ju ftoj të lexoni dy botimet që promovojmë në këtë event”, u shpreh Ruçi.

Fjala në promovimin e botimit parlamentar “Reforma në sistemin e drejtësisë”

22 korrik 2019, ora 10:00

E nderuar znj. Bernhard,

Të nderuar anëtarë të Komisionit ad hoc parlamentar për reformën në drejtësi,

Të nderuar anëtarë të Komisionit të ligjeve,

Të nderuar drejtues të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë,

Të nderuar drejtues të organeve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve e prokurorëve,

Të nderuar përfaqësues të Fondacionit SOROS,

Të nderuar miq dhe të ftuar,

Ju falenderoj që jemi sot bashkë në promovimin e botimit parlamentar “Reforma në sistemin e drejtësisë”, i cili përkon me trevjetorin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese që i hapën rrugë reformës në drejtësi.

Botimet që kemi sot në duar janë fryt i një investimi profesional dhe dëshire për të hedhur bazat ligjore të reformës për një sistem drejtësie të pavaruar, profesional, të panashëm, me drejtësi efikase dhe eficente, të shpejtë, jo të vonuar dhe as të mohuar, dhe ku të gjithë të jenë të barabartë para ligj.

Në këto dy botime janë jetërsuar mijëra orë pune e përpjekjesh, pasioni dhe angazhimi i qindra ekspertëve e profesionistëve, por edhe vështirësi dhe pengesa jo të pakta për hedhjen e themeleve të një drejtësie të re.

Reforma në drejtësi nuk është një reformë si gjithë të tjerat. Analiza e sistemit, pikat e forta dhe të dobëta, plani i veprimit për reformimin e sistemit, hartimi i ndryshimeve kushtetuese dhe 30 projektligjeve janë frut i përpjekjeve të shumta për të ndryshuar një sistem gjyqësor të korruptuar dhe për të krijuar bazën e një mentaliteti të ri, mbi të gjitha të atyre që ofrojnë drejtësi.

Reforma në drejtësi është një meritë ekskluzive e Kuvendit të Shqipërisë, një arritje dhe shërbimi më i mirë për shoqërinë dhe qytetarët shqiptarë, për shtet-bërjen dhe të ardhmen e vendit.

Përgëzoj të gjithë deputetët, në mënyrë të veçantë anëtarët e komisonit ad hoc të reformës dhe të komisionit të ligjeve, që iu përkushtuan si rrallëherë reformës në drejtësi.

Ishte vendosmëria e Kuvendit që ndërmorrëm reformën, miratuan ndryshimet kushtetuese dhe paketën e ligjeve dhe po punojmë për të çuar deri në fund zbatimin e saj.

Për këtë reformë punuan ekpertë vendas dhe ndërkombëtar, të cilët i falenderoj edhe njëherë për kontributin që kanë dhënë e po japin për kryerjen e saj.

Gjej rastin të falenderoj EURALIUS-in, OPDAT-in, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian, si edhe ambasadat, misionet dhe ekspertët nga të gjitha vendet partnere, pa mbështetjen e të cilëve reforma në drejtësi nuk mund të projektohej, realizohej e zbatohej.

Zbatimi i reformës është i nevojshëm dhe i mirëpritur nga qytetarët, por edhe nga miqtë e partnerët ndërkombëtare dhe kjo është lexuar qartë në të gjitha takimet që unë kam pasur me kryetarët e parlamenteve të vendeve të Bashkimit Evropian.

Unë personalisht, si deputet, si Kryetar i Grupit Parlamentar të shumicës dhe, prej shtatorit 2017, si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, kam ndjekur e mbështetur reformën që në projektimin dhe hapat e saj të parë.

Reforma e drejtësisë është një mundësi reflektimi e kontributit dhe përgjegjësive tona si legjislatorë të Republikës. Prej reformës, unë si mbështetës i fuqishëm i saj, kam nxjerrë mësimet e mia dhe besoj se kështu po ndodh edhe me secilin prej jush.

Prandaj gjatë dy viteve në detyrën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i kam dhënë përparësi të dukshme mbështetjes së organeve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura, monitorimit të tyre e të Qeverisë në shërbim të interesit publik e qytetarëve.

Të nderuar ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile,

Puna për reformën dëshmoi se bashkëpunimi me shoqërinë civile  dhe botën akademike është nevojë jetike dhe instrument vital për t’i shërbyer vendit. Në dijeninë time, nuk njoh ndonjë rast tjetër, ku bashkëpunimi midis ligjvënësve dhe ekspertëve të ketë dhënë një produkt kaq madhor sa korpusi i ligjeve të reformës në sistemin e  drejtësisë.

Reforma është e ndërlikuar dhe ecën  paralelisht në tri drejtime: realizimin e ndryshimeve ligjore; ngritjen e bërjen funksionale të institucioneve të reja dhe kryerjen e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve e prokurorëve.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi para pak ditësh dy ligjet që reflektuan vendimet e gjykatës Kushtetuese, duke kryer ndryshimet ligjore të nevojshme për funksionin e plotë  të organeve të drejtësisë.

Pavarësisht pengesave, ngritja, plotësimi dhe vënia në funksion të plotë e organeve të reja të qeverisjes së sistemit është drejt përfundimit dhe pritet të realizohet në fillim të sesionit të ri parlamentar.

Kuvendi ka miratuar të gjitha strukturat organizative dhe të gjitha burimet njerëzore, financiare e materiale për organet e vetingut.

Botimet që promovojmë janë një vlerë e shtuar në jurisprudencën shqiptare, një përmasë e katërt e reformës, një libër i hapur për të gjithë ekspertët, studentët por edhe qytetarët, të cilët gjejnë në to një pjesë të betejës sonë për të rindërtuar sistemin e drejtësisë dhe për ta venë atë në shërbim të qytetarëve. Këto si edhe botimet që do të vijojnë janë një dhuratë e bukur që i bëjmë vendit në prag të 100 vjetorit të parlamentarizmit shqiptar.

Dëshiroj të rikonfirmoj qëndrimin tim personal dhe të Kuvendit të Shqipërisë se reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe e panegociueshme. Për arsyen e thjeshtë se ajo është e dëshiruar për të gjithë qytetarët dhe se destinacioni europian, fati dhe e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të negociohen.

Por ritheksoj se as reforma në drejtësi, as vettingu, as ngritja e institucioneve të reja të sistemit nuk janë qëllim në vetvete. Sfida e vërtetë e reformës është dhënia e drejtësisë dhe barazia reale e shtetasve para ligjit.

Për këtë, secili në këtë sallë e jashtë saj, Kuvendi, Qeveria, organet e qeverisjes së sistemit, organet e vetingut dhe të gjithë operatorët e sistemit, të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e Shqipërisë, duhet të reflektojnë e të zhvillojnë përgjegjësitë e veta.

Së fundi, më lejoni të bëj edhe një parantezë të shkurtër sesi reforma në sistemin e drejtësisë na ndihmon për të kuptuar në mënyrë korrekte disa nga zhvillimet tona si edhe raportin midis demokracisë dhe kushtetueshmërisë.

Duket sikur demokracia liberale dhe kushtetueshmëria kufizojnë njera-tjetrën.

Nuk kanë munguar as në realitetin shqiptar këto kohë interpretime mbi të ashtuquajturin kufizim të demokracisë për shkak të këmbënguljes për kushtetueshmëri e ligjshmëri.

Kushtetueshmëria dhe ligjshmëria nuk janë vargonj për demokracinë, por kolonat ku mbështetet ajo, janë kufizime që demokracia vendos ndaj vetes, me qëllim që të shpëtojë prej anarkisë, destabilitetit dhe pasigurisë.

Nga ana tjetër, në sistemin demokratik, kushtetuta është ndërtuar mbi logjikën demokratike dhe për këtë arsye ushqen e mbështet praktikat demokratike. Prandaj demokracia nuk është kurrë e tradhëtuar nëse zhvillohet në shinat e Kushtetutës dhe ligjit.

Demokracia është, padyshim, edhe arti i kompromisit. Por ndërsa kushtetueshmëria është themeli, kompromiset përbëjnë kthinat e demokracisë. Kushtetuta dhe ligjet janë rrënjët, ndërsa kompromiset politike degët e një sistemi demokratik.  Dhe të gjithë jemi të një mendimi që rrënjët dhe themelet prevalojnë mbi kthinat dhe degët.

Përvoja jonë në realizimin e reformës në drejtësi na ndihmon të reflektojmë dhe të pajtohemi me modelin demokratik, sipas të cilit udhëharta e veprimeve tona politike duhet të jenë Kushtetuta dhe ligjet.

Dhë nëse kini dyshime, ju ftoj të lexoni me vëmendje botimet që promovojmë sot.

Ju faleminderit.

ME TE LEXUARAT