Studimi/ Për herë të parë një analizë që diagnostikon fibromialgjinë

Soft

Miliona njerëz jetojnë me dhimbje të vazhdueshme të shkaktuara nga fibromialgjia, një çrregullim që shpesh nuk diagnostikohet siç duhet. Ndërsa analizat laboratorike mund të ndihmojnë në identifikimin e shumë sëmundjeve, deri pak kohë më parë nuk kishte asnjë analizë për fibromialgjinë. Por siç raporton korrespondentja e “Zërit të Amerikës” Carol Pearson, tashmë me një analizë të thjeshtë gjaku mund t’u japësh pacientëve që vuajnë prej këtij çrregullimi, një dëshmi shkencore mbi gjendjen e tyre.

Barb Hartong-u vuante nga dhimbje të pashpjegueshme në të gjithë trupit përpara se të diagnostikohej me fibromialgji.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Ishte një lehtësim pasi më në fund kuptova se çfarë problemi kisha”, thotë ajo.

Fibromialgjia është një çrregullim me simptoma të përhapura të dhimbjes, shoqëruar nga lodhje dhe probleme të gjumin, kujtesës dhe gjendje të rënduar shpirtërore. Studiuesit besojnë se tek ata që vuajnë nga fibromialgjia, truri zmadhon sinjalet e dhimbjes.

Rreth 75 për qind e atyre që preken nga ky çrregullim, nuk diagnostikohen. Disa njerëz jetojnë me dhimbje për vite me radhë. Shumë prej tyre marrin trajtim të paefektshëm, madje të dëmshëm.

“Shumë prej pacientëve që përdorin në mënyrë kronike ilaçe kundër dhimbjeve, rezultojnë se vuajnë nga fibromialgjia. Pra nëse kjo do të dihej, atëherë mund të ndalonim kurat e paefektshme”, thotë doktor Kevin Hackshaw, i qendrës mjekësore “Wexner” në universitetin e Ohajos.

Studiuesit e qendrës mjekësore “Wexner” në universitetit e Ohajos kanë zhvilluar një analize të thjeshtë gjaku, që mund të diagnostikojë fibromialgjinë.

“Ne përdorim rrezet infra të kuqe për të analizuar brenda disa sekondash nivelin e proteinave, yndyrës, nivelin e niseshtesë apo fibrave”, thotë doktor Luis Rodriguez-Saona.

Studiuesit zbuluan se falë kësaj prove mund të analizohet niveli i kimikateve në gjak në të njëjtën mënyrë që analizohen molekulat në ushqim. Analiza mund ta dallojë fibromialgjinë nga dhimbjet e tjera kronike me një saktësi prej rreth 100 për qind.

“Kuadratët bojëkafe i përkasin fibromialgjisë, ato në ngjyrë të kuqe janë artriti reumatizmal, ndërsa ato në ngjyrë të gjelbër janë lupus”, doktor Luis Rodriguez-Saona.

“Një analizë e tillë vërteton simptomat prej të cilave kanë vuajtur këta pacientë prej vitesh”, thotë mjeku Kevin Hackshaw.

Ndërsa nuk është zbuluar ndonjë kurë për fibromialgjinë, ilaçet, ushtrimet dhe ulja e nivelit të stresit mund të ndihmojnë në kontrollin e simptomave. Zonja Hartong pi ilaçe, por gjithashtu i përmbahet një regjimi të përditshëm.

“Nuk ka të bëjë vetëm me një pilulë, por me mënyrën se si jeton. Për mua ushtrimet janë të rëndësishme”, thotë ajo.

Tashmë studiuesit duan të studiojnë efektshmërinë e analizës te një grup më i madh pacientësh që do të çonte te përdorimi i saj në protokollin mjekësor për diagnostikimin e menjëhershëm të fibromialgjisë.

Burimi: Zëri i Amerikës

ME TE LEXUARAT