Kercenoi me arme dhe iu mori leket, arrestohet autori i trete i grabitjes ne Fier

Aktualitet

Policia e Mallakastër ka vënë në pranga 26-vjeçarin Marius Harrunaj, i cili ishte në kërkim për vjedhje me dhunë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas policisë, i riu, së bashku me dy persona të tjerë, të cilët janë arrestuar një ditë pas ngjarjes, në një banesë në fshatin Greshicë, nën kërcënimin e armëve të ftohta, kanë dhunuar familjarët dhe iu kanë marrë një sasi lekësh.

Njoftimi i policisë:

I kërkuari për “Vjedhje me dhunë, kryer në bashkëpunim”, bie në prangat e Policisë. Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër kapën dhe ndaluan shtetasin:

• M. H., 26 vjeç, banues në Panahor, Mallakastër.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 10.07.2019 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhje me dhunë, kryer në bashkëpunim”.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:

Në datën 22 mars 2019, 26-vjeçari M.H., në bashkëpunim me shtetasit K. S. dhe A.M. (të cilët janë arrestuar nga Policia një ditë pas ngjarjes), pasi ka hyrë i maskuar në një banesë në fshatin Greshicë, nën kërcënimin e armëve të ftohta, ka dhunuar familjarët dhe u ka marrë një sasi lekësh.

Pas punës së mirëorganizuar nga policia e Mallakastrës, u arrestuan 2 nga autorët më datë 23 mars 2019 dhe u kap mbrëmjen e djeshme bashkëpunëtori i tretë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”.

ME TE LEXUARAT