Enver Hoxhes iu be operacion sekret naten qe vdiq, publikohet desmia

Soft

Nga Dashnor Kaloçi

Publikohet intervista e Edmond Lakos, një nga piktorët grimier më të njohur të Radio-Televizionit Shqiptar, i cili në prillin e vitit 1985 u thërrit urgjent në Ministrinë e Punëve të Brendshme ku një njeri i Sigurimit të Shtetit e mori dhe e dërgoi në morgun e Tiranës ku ndodhej trupi i pajetë i diktatorit Enver Hoxha.

Cilat ishin porositë që iu dha Sulo Gradeci grimierit Lako dhe dy kolegëve të e tij dhe si e rregullonin ata fytyrën e prishur të udhëheqësit komunist gjatë gjithë atyre ditëve që zhvilloheshin homazhet…

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në Drejtorinë e Dytë të Ministrisë së Punëve të Brendëshme na priti një person i Sigurimit, i cili më mori me makinën e tij dhe menjëhërë më çoi në morgun e Tiranës, te godinat e spitaleve që ishin rrethuar me ushtarë të shumtë të Gardës së Republikës. Sapo zbritëm, aty u takova edhe me një koleg timin, të quajtur Valter, të cilin e kishin marrë nga Kinostudio. Pas kësaj erdhi dhe na takoi Sulo Gradeci, i cili na tha: “Po pse, vetëm ju të dy keni ardhur, duhet edhe një grua”.

Pas atyre fjalëve u nis menjëherë makina që më kishte sjellë aty, dhe pas pak minutash ajo solli edhe Zhaneta Petushin, grimieren tjetër të Radi-Televizionit Shqiptar. Pas kësaj ne të tre na shoqëruan duke na futur brenda morgut, ku në një nga tavolinat e tij gjendej trupi i pajetë i Enver Hoxhës, të cilin e kishin mbuluar me një çarçaf të bardhë dhe vetëm koka i dukej. Aty Brenda morgut ndodheshin dy-tre infermiere dhe disa civilë të Sigurimit të Shtetit që komunikonin me radio me shefat e tyre.

Nga ata që na dhanë udhëzime dhe nga ndihmës mjeku personal i Enverit ne mësuam se një kirurg i njohur me origjinë nga Shkodra për gjithë natën kishte kryer operacionin plastik në fytyrën e Enverit.

Ai i kishte tërhequr lëkurën e pjesës së mbrapme të qafës, me qëllim që t’i eleminonin rrudhat e fytyrës dhe ato të qafës. Njeriu që dëshmon për Memorie.al është mjeshtri i grimit, Edmond Lako, një nga piktorët-grimier më të njohur të Radio Televizionit Shqiptar, i cili tregon historinë e rrallë që ai ka përjetuar për disa ditë në prillin ‘85-ës, kur u thirr për të bërë grimin e fytyrës së pajetë të Enver Hoxhës.

INTERVISTA

Zoti Mondi, është e vërtetë që ju jeni marrë me rregullimin dhe keni bërë grimin e fytyrës së Enver Hoxhës, ato ditë para se të kryhej ceremonia e varrimit të tij dhe pse u caktuat ju për këtë?

Po, është krejt e vërtetë se unë jam marrë me atë punë dhe ajo mu ngarkua mua, pasi në atë kohë unë punoja si piktor- grimier në Televizionin Shqiptar.

Kur dhe si e mësuat lajmin e vdekjes së Enverit?

Paraditen e 11 prillit të vitit 1985, kur dhe u përhap lajmi për vdekjen e Enver Hoxhës, unë isha në shtëpi dhe nuk dija gjë për këtë lajm. Në orën 9.00 ra dera e shtëpisë dhe ishte shoferi i drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar, Kiço Noga, i cili më tha urgjent duhet të shkoja me të në Televizion, ku na priste drejtori Virgjil Kule.

Shoferi i drejtorit ua tregoi lajmin e vdekjes së Enverit?

Jo, ai ai nuk më tregoi gjë, unë e mësova kur shkova në Televizion nëpërmjet drejtorit Kule.

Çfarë ju tha drejtori juaj ?

Virgjili më tregoi shkurtimisht për vdekjen e udhëheqsit Enver Hoxha dhe pastaj më tha se së bashku me shefin e administratës, të shkonim menjëherë në magazinë dhe të merrnim veglat e punës më të mirat që kishte aty dhe pajisjet e tjera të nevojshme që përdoreshin për grim.

A ju informoi drejtori se për çfarë duheshin ato vegla?

Po, Virgjili më tha: ”Mondi , do të bësh shumë kujdes , se ata kanë vendosur që ta rregullojnë”. Këto ishin fjalët e vetme që më tha drejtori Kule dhe nuk ishte e vështirë që ta kuptoja se për çfarë bëhej fjalë.

Çfarë ndjet në ato çaste kur drejtori juaj, Virgjil Kule, ju komunikoi për të shkuar e për të bërë grimin e fytyrës së trupit të pajetë të Enver Hoxhës?

Për të qenë i sinqertë, nuk mund ta mohoj dot faktin se, kur m’u komunikua ajo gjë, pata një tronditje. Por këtë gjë e pata përbrenda në koshiencën time, pa e shprehur atë nga ana e jashtme. Stepja ime, nëse mund të shprehem kështu, në momentin e mësimit të atij lajmi kishte të bënte me faktin që, pasi ke ëndërruar për ta parë ose takuar një ditë udhëheqësin e vendit tënd, papritur të thonë që ai ka vdekur. Dhe ç’është më e keqja, të të caktojnë që të shkosh dhe të punosh mbi trupin e tij të pajetë.

Pse deri në atë kohë nuk ju ishte dhënë ndonjëherë rasti për ta parë nga afër Enver Hoxhën?

Enver Hoxhën e kisha parë dy herë krejt nga afër, por për ta takuar nuk më ishte dhënë rasti asnjëherë. Të dyja ato here që e kisha parë Enverin nga afër, kisha qenë me xhirime në pikën turistike të Volorekut në Pogradec, diku aty afër kampit të kuadrove, dhe Enver Hoxha me njerëzit që e shoqëronin na kaloi fare pranë. Hera e dytë ka qenë në Virua të Gjirokastrës. Dhe aty ai na kaloi fare pranë, por pa na takuar dhe pa na përshëndetur.

Pasi more porosinë nga drejtori i TV-Shqiptar, Virgjil Kule, dhe veglat e punës, ku shkuat?

Pas marrjes së atij urdhëri, unë së bashku me shefin e administratës së Televizionit , shkuam në këmbë tek Drejtoria e Dytë e Ministrisë së Punëve të Brendëshme.

Kë takuat aty dhe ku shkuat më pas?

Në drejtorinë e Dytë të Ministrisë së Punëve të Brendëshme, na priti një person që duhej të ishte i Sigurimit. Xhemali u kthye për në Televizion, ndërsa unë me personin që na priti, hipëm në makinën e tij dhe menjëherë shkuam në morgun e Tiranës, te godinat e spitaleve që ishin rrethuar me ushtarë të shumtë të Gardës së Republikës, të cilët ishin të armatosur me armë.

Kush ju priti aty dhe kë takuat më pas?

Sapo zbritëm, unë u takova me një koleg, të quajtur Valter, i cili punonte në Kinostudio. Dhe ai, ashtu si unë, ishte thërritur për të njëjtën gjë. Pas kësaj erdhi dhe na takoi Sulo Gradeci, i cili na tha: ”Po pse vetëm ju të dy keni ardhur, duhet dhe një grua. Pas kësaj ai iu drejtua njerëzve të tij, duke u thënë që të shkonin dhe të sillnin urgjent Zhaneta Petushin, me të cilën ai kishte njohje. Pas pak ajo erdhi menjëherë.

Kur ju shkuat, trupi i Enverit ishte në morg?

Trupi i Enverit e kishin sjellë në morg që një ditë para, kur akoma nuk ishte shpallur lajmi i vdekjes së tij.

Kishte njerëz të tjerë brënda morgut, aty ku ndodhej trupi i Enverit?

Kur ne hymë brënda, gjetëm dy-tre infermiere dhe disa civilë të Sigurimit, të cilët hynin e dilnin duke komunikuar me shefat e tyre.

A kishte pësuar dëmtim fytyra e Enverit dhe, a filluat menjëherë nga puna për të cilën iu kishin thirrur?

Fytyra e Enverit nuk kishte pësuar asnjë dëmtim, por kishte ndryshuar ngjyrë. Ndoshta kjo gjë, vinte nga rezonimi i ngjyrave dhe dritë-hijeve të atij ambjenti ku ndodhej. Aty në morg, ne nuk bëmë asnjë veprim, sepse Sulo Gradeci me ndihmës-mjekun, diskutuan gjatë, dhe thanë se aty në morg nuk kishim kushte optimale për të punuar ne. Pas diskutimeve që bënë ata me njëri-tjetrin, Sulo, na mori edhe mendimin tonë, duke na thënë që do të ishte më mirë që ne të punonim te salla e Kuvëndit Popullor. Atë mendim të tyre, e përkrahëm edhe ne, pasi Sulo na tha se gjatë transportit dhe ndërrimit të temperaturave të ambjenteve, fytyra e Enverit do të pësonte ndryshime, çka do ta çonte dëm punënë tonë.

Çfarë u bë më pas me trupin e tij?

Pasi u vëndos që neve duhet t’i bënim grimin, jo aty por te salla e Kuvëndit Popullor, u sollën rroba dhe infermieret së bashku me Zhaneta Petushin, filluan ta vishnin me kostum.

Ku shkuat ju, më pas the çfarë u bë me trupin ?

Pasi ne dolëm jashtë në oborrin e morgut, Sulo Gradeci, na tha që të shkonim dhe të prisnim në gadishmëri në godinën e RTSH-së, sepse pas dy orësh do të vinin përsëri dhe të na merrnin për të shkuar te salla e Kuvëndit, ku do të fillonim nga puna për atë që ishim thirrur.

Kë takuat në sallën e Kuvëndit, dhe a ju dhanë ndonjë porosi?

Aty na priti Sulo Gradeci me shoqëruesin e Enverit, Beharin. Ata na thanë që të fillonim menjëherë nga puna dhe të bënim të pamundurën, që fytyra e Enverit të dukej sa më e kuruar. Ndërkohë që ne, ishim në pritje për të filluar punën, Sulo me njerëzit që e shoqëronin, filluan të diskutonin për problemin e frigoriferit që duhej aty për ta mbajtur të pa prishur trupin e tij.

A e kishin sjellë aty frigoriferin?

Po po e kishin sjellë që në mëngjes, dhe bashkë me të kishin sjellë dhe disa nga specialistët më të mirë të frigoriferave të Tiranës, sepse aty doli një problem që dukej se nuk e kishin parashikuar. Frigoriferi që kishin sjellë, ishte më i shkurtër se trupi i tij. Dhe ngaqë nuk e nxinte dot atë, Sulo, urdhëroi specialistët që të gjenin pjesë të tjera frigoriferike për ta shtuar atë.

A kishit emocione në ato momente që filluat të punonit mbi fytyrën e tij, dhe a ju mbikëqyrnin, për punën që po bënit?

Unë fillova i pari, që të bëja grimin, ndërsa Valteri me Zhanetën më ndihmuan sepse grimi, zgjati rreth dy orë. Gjatë kohës që punoja, kisha mjaft emocione dhe isha i mbuluar në djersë. Herë pas here më dridheshin edhe duart. Gjatë gjithë kësaj kohe që ne punuam aty, na vëzhgonte me kujdes Suloja me njerëzit e tij.

Çfarë ju thanë kur mbaruat punën?

Kur përfunduam grimin, dhe po fusnim në çantë veglat e punës, Sulo na tha se kishim bërë një punë mjaft të mirë. Pas kësaj ai na porositi që të shkonim nëpër shtëpi, dhe të rrinim në gadishmëri, për t’u paraqitur aty në çdo rast që do të na kërkohej. Ata na thanë, se na kishin marrë adresat e shtëpive tona, dhe gjatë asaj kohe që ne ishim duke punuar, shoferi kishte shkuar për t’i mësuar adresat se ku ndodheshin. Para se të dilnim, Sulo, na dha disa porosi, duke na thënë se për gjithshka kishim parë, dëgjuar, dhe bërë aty, nuk do t’ia tregonim asnjeriu.

Po të nesërmen kur, u paraqitët tek salla e Kuvëndit Popullor?

Që në orën 7 të mëngjesit, erdhi makina dhe më mori në shtëpi. Bashkë me dy kolegët e mi Valterin dhe Zhanetën, nga ora 8 filluam nga puna përsëri duke bërë grimin e fytyrës së Enver Hoxhës.

Sa kohë punuat, atë ditë për të bërë grimin mbi fytyrën e tij ?

Atë paradite, ne nuk punuam shumë sepse sa bëmë një rifresikm të lehtë të toneve që i kishim dhënë fytyrës së tij, pasi gjatë natës ato ishin zbehur sepse frigoriferi, kishte pasur problem, dhe gjatë asaj kohe që ne punonim, rridhte vazhdimisht ujë. Kështu që nga ky problem i mos-funksionimit mirë të frigoriferit, ishte e nevojshme që hera-herës, të ndërhynim për të punuar mbi fytyrën e tij.

Cili ishte vlerësimi për punën tuaj, a ju përgëzoi Nexhmija apo Sulo, për atë që kishit bërë?

Ne punuam deri në momentet e fundit, që do të mbyllej arkivoli, dhe Sulo na falenderoi për punën e bërë, duke na sjellë përgëzimet e Nexhmijes dhe Pranverës.

Kur u bë marrja e maskës për fytyrën dhe për dorën e Enver Hoxhës?

Proçesi i marrjes së maskës u bë nga skulptori i madh Montaz Dhrami, kur u mbyllën homazhet, dhe pritej që të vinin vetëm njerëzit e familjes, për të fundit herë, para se të fillonte ceremonia e varrimit./Memorie

ME TE LEXUARAT