Vëzhguesit e OSBE/ODIHR: Policia “kaloi provën” në zgjedhjet e 8 majit
TIRANE – Eksperti i Sigurisë së Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it për Zgjedhjet Vendore në Shqipëri, Laszlo Belagyi, përmes një shkrese zyrtare dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, në emër të OSBE/ODIHR dhe EOM ka shprehur vlerësimet për profesionalizmin dhe përkushtimin e Policisë së Shtetit gjatë përmbushjes së detyrave në kuadër të procesit zgjedhor.
“Profesionalizmi dhe përkushtimi që Policia e Shtetit tregoi gjatë përmbushjes së detyrës së tyre në këtë periudhë ishte i lavdërueshëm. Nuk ka pasur asnjë raportim për shkelje të ligjit apo aktivitete të tjera dëmtuese për asnjë oficer policie nga vëzhguesit afatgjatë apo afatshkurtër. Të gjithë vëzhguesit afatgjatë kanë përmendur dhe lëvduar marrëdhëniet shumë të mira me Drejtoritë Rajonale të Policisë. Mesa duket, trajnimet e kryera për zgjedhjet nga ana e policisë në lidhje me detyrat e tyre, kanë qenë pjesë domethënëse e suksesit Tuaj.” – është shprehur Belagyi, thane burimet e policise per LajmiFundit.
Po ashtu, Eksperti i Sigurisë, Laszlo Belagyi, në emër të OSBE/ODIHR dhe EOM, ka shprehur falenderimet dhe mirënjohjen për Drejtuesit dhe gjithë stafin e Policisë së Shtetit, përfshirë edhe Drejtoritë Rajonale të Policisë, si dhe një vlerësim të veçantë për Zv/Drejtorin e Përgjithshëm për Sigurinë Publike Muhamet Rrumbullaku, për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe asistencën profesionale ofruar Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it gjatë gjithë procesit zgjedhor.













