Tryeza e ISHM: Informacioni online, i preferueshëm edhe për shqiptarët
Forumet online, blogjet, rrjetet sociale dhe ndikimi i tyre në shoqëri ishte tema kyçe e një tryeze të organizuar sot nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Kooperacioni Teknik Austriak. Përfaqësues t mediave kryesore “online” në Shqipëri patën rastin të njihen më nga afër me përvojën e Robert Misik, gazetar dhe një ndër blogerat kryesorë në Austri. Takimin e hapi drejtuesi i Institutit Shqiptar të Medias Remzi Lani i cili u ndal shkurtimit tek tendenca dhe tanimë faktorizimi i medias “online”. Lani tha se e shikon këtë tryezë si një mundësi që secili prej portaleve të internetit të tregojë përvojën e tij. Instituti Shqiptar i Medias theksoi se e shikon median online si një element të ri në tregun mediatik shqiptar dhe si të tillë një hap kurajoz e të rëndësishëm. Të pranishmëve ju drejtua edhe ambasadori i Austrisë Florian Rauning i cili vuri theksin tek rëndësia e komunikimit publik dhe krijimi i hapësirave të shumta ku secili mund të shprehë pikëpamjen e tij për çdo aktualiteti. Drejtuesja e Kooperacionit Teknik Austriak Astrid Wein theksoi se media online tanimë përbën një fakt më shumë se sa një risi. Në vlerësimin e saj ky lloj medieje fokusohet tek të gjitha gjeneratat dhe nuk lokalizohet vetëm në një kategori të caktuar shoqërore. Wein u shpreh sakaq se kriteri politik i Kopenhagenit përbën një ndër pikat kyçe në vlerësimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pjesë e këtij kriteri politik, vijoi ajo, është edhe e drejta e shprehjes dhe mënyra se si është e zhvilluar ajo.
Një studim i Institutit Shqiptar të Medias konstaton se shumica e mediave tradicionale kanë faqet e veta onlinë. Sipas këtij studimi rezulton se agjencia informative “Lajmifundit” qëndron mes faqeve informative online më të vizituara në Shqipëri.













