Pakti me Bashkinë, ZRPP: Brenda 30 ditëve hipoteka për 3 mijë apartamente
Pak ditë pas dorëzimit në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të 124 dosjeve për objektet, që morën lejen e shfrytëzimit nga Bashkia e Tiranës, mund të nisë menjëherë procesi i regjistrimit.
Kryeregjistruesi Arben Qirjako, bëri të ditur sot se pas regjistrimit, brenda 30 ditëve, subjekti ndërtues do të pajiset me hipotekën e pallatit.
Si rrjedhojë, 3 mijë kryefamiljarë do të fitojnë pronësinë për apartamentin e tyre. Sipas zotit Qirjako, parashikohet se brenda muajit dhjetor do të mbyllet procesi i hipotekimit për 124 objekte, të cilat morën lejen e shfrytëzimit.
Vetëm pak ditë më parë Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha firmosi dhënien e lejes së shfrytëzimit për 124 objekte, të cilat nuk ishin të regjistruara në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.













