“Pafajësia” e Ilir Metës, dritëhijet e procesit gjyqësor
TIRANE – LAJMIFUNDIT – Vendimi i shpallur sot nga Kolegji Penal i gjykatës së Lartë është rrjedhojë e një sërë zhvillimesh dramatike që shoqëruan procesin e hetimit që kur prokuroria vendosi hapjen e dosjes penale.
Krisja e parë e madhe ndodhi në momentin kur prokuroria e Përgjithshme, në mungesë totale besimi vendosi të mos kalojë përmes Ministrisë së Drejtësisë letërporosinë që dërgoi në Amerikë për kryerjen e ekzaminimeve mbi video-përgjimin Meta-Prifti.
Ishte pikërisht dërgimi “privatisht” i letërporosisë në SHBA, shkaku pse gjykata e Lartë e rrëzoi ekspertimin e specialistit amerikan i cili kishte vënë vulën duke theksuar se regjistrimi i kryer nga Dritan Prifti ishte autentik. Prokuroria justifikohet sot me argumentin se ka në praktikën e saj raste kur i ka dërguar letërporositë direkt pa kaluar ministrinë e Drejtësisë dhe ato janë njohur nga gjykata.
Megjithatë, djalli fshihet në detaje dhe në një proces kaq të rëndësishëm e me bërryla si ky i Metës, prokuroria duhej të bënte më tepër kujdes për ti lënë sa më pak shtigje avokatëve apo edhe gjykatës.
Faktori i dytë që ndikoi në vendimarrjen e sotme, ka qenë politizimi i tejskajshëm i Gjykatës së Lartë. Ccdo qytetar me informim mesatar në Shqipëri, ka qenë koshient sot që në mëngjes se vendimi do të ishte 3-2 apo 4 me 1 në favor të Metës dhe kundër kërkesës së prokurorisë me dy vjet burg. Mrekullia e kësaj ccështje është se trupi gjykues vendosi 5-0 dhe kjo lidhet me shkakun e parë të pafajësisë së Metës, mungesën e një prove të qënësishme në dosje si pasojë e rrëzimit ekspertizës së videos.
Një tjetër faktor që ka ndikuar ka qenë vetë qëndrimi i Ilir Metës. Rreshtimi i tij në maxhorancën në pushtet, kontrolli mbi disa struktura shtetërore, presionet e vazhdueshme për reformë në prokurori e kompleksuan deri në frikë prokurorinë. Një frikë e cila dukej në sallën e gjyqit ku prokurori akuzator kërkonte ndjesë vazhdimisht sa herë që avokatëve të Ilir Metës nuk u pëlqente pyetja që prokuroria u bënte dëshmitarëve.
Qëndrimit të Ilir Metës nuk duhet harruar ti shtohet edhe presioni i hapur dhe lufta e vazhdueshme që ai bëri me prokurorinë. Ai vazhdimish e cilësoi procesin dhe akuzën politike. Ai nuk u paraqit në prokurori kur i thirr për njoftimin e akuzës, ai madje, dosjen në ngarkim të tij e njohu në përmbajne vetëm pasi ajo iu dërgua me postë. Dhe të mendosh se zyra e zotit Meta nuk është më larg se 20 minuta në prokuroria e Përgjitshme.
Një tjetër factor që ndikoi në pafajësinë e Ilir Metës, ishte tërheqja e dëshmitarëve. Disa prej tyre ende ishin në punë sot në ministrinë e Ekonomisë apo strukturat e varësisë së saj, duke theksuar se kjo ministry drejtohet sot nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Prokuroria nga ana e saj, mbajti një qëndrim të butë e të pa justifikuar në gjyq kur teksa i dëgjonte dëshmitarët të ndryshonin thëniet dhe madje ti tjetërsonin ato, thjesht mjaftohej me konstatimin e ndryshimit të dëshmisë dhe në asnjë rast nuk zbatoi dispozitat e ligjit procedural penal që parashikon arrestim në këto raste për dëshmi të rreme.
Faji për këtë vendim megjithatë nuk është vetëm i prokurorisë së përgjithshme, gjykatës së Lartë apo Ilir Metës. Gjykatat shqiptare me kohë janë kujdesur të mos mbajnë në arkiva precedent për dënimin e ndokujt me regjistrime televizive. Ish-drejtori i burgjeve Gazmend Dibra u dënua nga gjykatat e ulëta por u pafajësia nga gjykata e Lartë. Një ish-prokuror në Kavajë apo një gjyqtar në Elbasan, janë sot të pafajshëm edhe pse u hetuan e madje u shkarkuan nga puna pas regjistrimeve televizive që i kapën ata duke kërkuar e duke marrë rryshfet. Gjykatat shqiptare pra nuk kanë krijuar një precedent, një rast tek i cili të referoheshin për fajësi në rastin e Metës.













