Blindohet PSG, transferon mbrojtësin Alex nga Chelsea
Paris St Germain bën një tjetër goditje në merkato, duke blinduar mbrojtjen me brazilianin Alex. 29-vjeçari ka nënshkruar një kontratë për dy vjet e gjysëm me klubin francez, duke u larguar kështu nga Chelsea pas 5 vjetësh.
Aleks, për të cilin u interesua edhe Juventus në qershor, nuk kishte më hapësirë në formacionin e londinezëve, me ardhjen e Villas Boas. Portugezi preferonte David Luiz përkrah John Terry, duke i lënë brazilianit pankinën. “Pata probleme tek Chelsea me trajnerin Andres Villas Boas.
Atij nuk i pëlqente mënyra ime e të luajturit futboll. Kështu që preferova të largohem në një skuadër tjetër,” ka sqaruar Alex në konferencë për shtyp. Alex, u bashkua me Chelsea në Stamford Bridge nga Santos në 2004, por për dy vjet u huazua tek PSV Eindhoven.
Tekniku i PSG, Carlo Ancelotti, vlerëson Alex për eksperiencën e tij, duke qenë se braziliani ka luajtur në Hollandë, Angli, por edhe me përfaqësuesen. Alex është blerja e dytë e madhe e PSG në janar, pas mbrojtësit Maxvvell nga Barcelona.
Pronarët e klubit francez kanë shpenzuar më shumë se 80 milion euro verën e kaluar, por paratë e tyre dështuar për të nënshkruar me Alexandre Pato të Milan apo Carlos Tevez të Manchester City. Ardhja e Alex mbyll përfundimisht dyert për Tevez, pasi klubi ka tashmë maksimumin e lojtarëve extra komunitarë.













