Deputetët e PS letër Berishës: Ministri Nasip Naço shkeli ligjin! Duhet të ndërhyni!
Deputetët e Partisë Socialiste i janë drejtuar sot përmes një letre kryeministrit Sali Berisha në të cilën konstatojnë mospërputhje kushtetuese në pozicionin e Ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës Nasip Naço. Deputetët deklarojnë se kanë kërkuar informacion nga ministri për minierën e Bulqizës dhe se ministri nuk ka përmbushur detyrën.
Më poshtë letra e plotë e deputetëve të PS-së drejtuar kryeministrit:
Mbështetur në nenin 8 të ligjit “Për Statusin e Deputetit”, në të cilin parashikohet se “Deputeti ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me permbushjen e detyrës së tij, të ministrave ose drejtuesve të institucioneve të tjera qëndrore…,”;
Të nenit 48 të Kushtetutës, në të cilin parashikohet se “Kushdo, vetë ose së bashku me të tjerë, mund t’u drejtoj kërkesa, ankesa ose vërjetje organeve publike”;
Një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste i është drejtuar Z. Nasip Naço në cilësinë e Ministrit të Qeverisë Suaj për Ekonominë, Tregtinë dhe Energjitikën nëpërmjet një shkrese “Kërkesë për marrje informacioni”, dt. 19.12.2011.
Nëpërmjet kësaj kërkese, kërkuam informacion mbi situatën në të cilën gjënden minatorët e Bulqizës dhe gjendjen aspak normale të shfrytëzimit të burimeve minerale të vendit tonë.
Gjithashtu, theksuam shqetësimin tonë sa i përket shfrytëzimit pa kriter të pasurisë kombëtare në minierën e Bulqizës ashtu si dhe në çdo burim tjetër minerar, duke rrezikuar seriozisht shkatërrimin përfundimtar dhe varrosjen pa kthim të saj.
Z. Kryeministër,
Për kujtesë edhe Tuajën, minatorët vazhdojnë të vdesin tuneleve të minierave të trajtuar si skllevër, ndërkohë që miliona euro përfitime shkojnë në xhepat e shfrytëzuesve që shtojnë pasurinë e tyre në kurriz të shkatërrimit të pasurinë tonë kombëtare.
Po për kujtesën Tuaj, pasurimi i paligjshëm me mineralin dhe mungesa e çdo mbikqyrjeje shtetërore në Bulqizë e më gjerë, i ka lënë vendin luftës së bandave kriminale dhe kartelit mafioz të shfrytëzimit të mineralit.
Nuk është egzagjerim pohimi se sot Bulqiza dhe jo vetëm, mbahet peng nën regjim pushtimi nga shfrytëzuesit e mineralit. Këta të fundit, thellësisht të lidhur me botën e krimit dhe koridoret e pushtetit deri në instancat më të larta.
Ne besojmë se vdekjet e njëpasnjëshme të minatorëve në galeritë e minierës, por edhe lufta për territore minerali e bandave të armatosura me plagosje e vrasje, janë një këmbanë alarmi që nuk mund të tolerohet më me injorim qeveritar e përfitime të paligjshme që blejnë heshtje e nënshtrim ministrash.
Ndaj nisur nga këto rrethana dhe në ushtrim të detyrës tonë si Deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ne i drejtuam disa pyetje të detajuara institucionit përkatës.
Ju bëjmë me dije se ende sot e kësaj dite, kur ka kaluar çdo afat parashikuar nga Kushtetuta dhe ligji, kerkesa jonë si Deputet të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, edhe pse në ushtrim të plotë të detyrës sonë kushtetuese, nuk ka marrë akoma asnjë përgjigje nga Ministri i Qeverisë Suaj për Ekonominë, Tregtinë dhe Energjitikën.
Mungesa e përgjigjes jo vetëm përbën një shkelje flagrante të Ligjit dhe Kushtetutës, për respektimin e të cilës jemi betuar njëlloj Ju dhe Ne, por thellon edhe më shumë, Ju dhe Qeverinë tuaj, në errësirës e heshtjes së koridoreve qeveritare prej nga ku besojmë kanë buruar praktikat e dyshimta që vazhdojnë i marrin jetën minatorëve në errësirën e galerive të vuajtjes e mjerimit.
Në këto kushte, mbështetur në paragrafin e fundit të nenit 8 ku parashikohet se “Për shkeljet e kësaj procedure njoftohet Kabineti i Kryeministrit për të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse.”, si dhe në të drejtën tonë kushtetuese për të marrë informacion për çdo aktivitet qeverisës;
Kërkojmë ndërhyrjen Tuaj për të detyruar Ministrin e Qeverisë Suaj të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës që të dorëzojë menjëherë përgjigjet e pyetjeve që ne deputetët e opozitës kemi depozituar më shumë se 1 muaj më parë.
Duke dashur të besojmë se Ju dhe qeveria Juaj do përmbushni detyrimet kushtetuese për të informuar publikun dhe deputetët e opozitës në respekt të Republikës Parlamentare dhe pa lejuar që të kthehet në Republikën e Ministrave të Kryeminstrit;
Mbetemi në pritje të përgjigjes Tuaj













