FSHF: Shqipëria ndeshje miqësore me Spanjën, kampionët e botës janë OK
Skuadra kampione e Evropës dhe botës, Spanja, është e gatshme të luajë miqësore me Shqipërinë.
Spanjollët i kishin premtuar drejtuesve të FSHF-së zhvillimin e një miqësoreje para se të shpalleshin kampionë bote në Afrikën e Jugut, por së fundmi kanë rinisur kontaktet me zyrtarët e Federatës spanjollle dhe ata kanë konfirmuar se në axhendën e tyre është edhe Shqipëria dhe se janë të gatshëm që të luajnë sapo të krijohen kushtet.
Një lajm të tillë e ka konfirmuar edhe sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani. “Po, i kemi bërë një kërkesë për ndeshje miqësore Spanjës disa kohë më parë dhe përgjigjja, ose më mirë të themi vullneti i tyre ishte pozitiv. Për të qenë korrektë, ata na premtuan se ishin gati të zhvillonin një ndeshje miqësore me ne, por kjo ka ndodhur para se të shpalleshin kampionë bote. Megjithatë, kemi pasur kontakte të vazhdueshme dhe ata na kanë premtuar se do të luajmë një miqësore së bashku me t’u krijuar mundësia”, ka thënë Prodani.













