Jahjaga: Vlerat e Ibrahim Rugovës, udhërrëfyes për vizat
Në gjashtëvjetorin e vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova, u mbajtë një akademi përkujtimore në përkujdesje të Presidentës Atifete Jahjaga.
Presidentja Jahjaga, tha se përkujtimi i veprës kolosale të Ibrahim Rugovës u bën nder të gjithë kosovarëve.
Sipas saj, në kohërat më të vështira, Presidenti Rugova mori vendime të rëndësishme, që “përcaktuan kahet e historisë dhe përcaktuan fatin tonë si popull në rrugëtimin e Kosovës shtet të lirë dhe të pavarur, në miqësi të përjetshme me SHBA-në”.
Ajo theksoi se Rugova ishte prijësi i një gjenerate që solli rilindjen e mendimit kritik dhe guximin e veprimit politik në rrethanat më të rënda të historisë së popullit të Kosovës.
Presidentja Jahjaga tha se Rugovës dhe gjeneratës së tij i takon merita e krijimit të partive pro perëndimore dhe çrrënjosjen nga sfondi të ideve komuniste.
“Neve, pasardhësve të tij, na mbetet të punojmë për forcimin e demokracisë në shtetin tonë dhe transformimin shoqëror që do të siguronte integrimin në NATO e BE dhe në mekanizmat tjerë ndërkombëtarë”, ka theksuar Jahjaga.
Presidentja Atifete Jahjaga vizitoi edhe familjen Rugova. Në një bashkëbisedim me familjen, ajo tha se vlerat e Presidentit Rugova kanë qenë dhe do të jenë edhe në të ardhmen një udhërrëfyes i mirë për të gjitha gjeneratat e vendit tonë.












