Publikuar në: Fri, Jan 13th, 2012

Jahjaga: Qytetarë, mos i bllokoni rrugët

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u ka bërë thirrje “të gjithë qytetarëve të mos bllokojnë rrugët, të mos bllokojnë vendkalimet kufitare të Republikës së Kosovës me shtetet e tjera dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave”.
Në një deklaratë të lëshuar nga kabineti për informim i zyrës së presidentes, thuhet se “paralajmërimi i Lëvizjes “Vetëvendosje” për organizimin e protestave paqësore, për bllokimin e mallrave që hyjnë në Kosovë nga Serbia, dhe për bllokimin e pikave kufitare në Merdarë dhe të Dheu i Bardhë, ka nxitur shqetësimet për mbarëvajtjen e këtyre protestave dhe për efektin e këtyre veprimeve”.
“E drejta e qytetarëve për të protestuar dhe në këtë mënyrë për të shprehur shqetësimet e tyre për një çështje është e drejtë legjitime dhe është e rregulluar edhe me Ligjet e Republikës së Kosovës. Organizimi i protestave paqësore nga një subjekt politik parlamentar, në këtë rast nga Lëvizja “Vetëvendosje”, ngërthen më vete përgjegjshmërinë për formën, qëllimin, zhvillimin dhe mbarëvajtjen e protestës”, citohet të ketë thënë presidentja Jahjaga.
Përcaktimin e “Vetëvendosjes” për të dalë në rrugë, zonja Jahjaga nuk e sheh si shterje të mundësive të veprimit brenda institucioneve të vendit.
“Vendi ynë ka nevojë për hapje të kufijve, për marrëdhënie të mira ndër-fqinjësore dhe bilaterale me të gjitha shtetet dhe për anëtarësim të plotë në të gjitha strukturat, organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë”, thotë mes tjerash presidentja Jahjaga.

Shkruaj një koment

XHTML: Ju mund të përdorni këto kode: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>