Jahjaga takon Thaçin e Albin Kurtin: Çdo debat, brenda institucioneve
Presidentja Atifete Jahjaga, i ka takuar udhëheqësit e partive dhe subjekteve politike parlamentare.
Jahjaga ka zhvilluar takime me Kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, Kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, Kryetarin e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Albin Kurtin, nënkryetarin e AAK-së, Blerim Shala dhe Kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli.
“Në takime të veçanta, Presidentja Jahjaga ka bashkëbiseduar me subjektet politike për çështjet në interes të vendit, me theks të posaçëm për zhvillimet aktuale politike në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Sipas kumtesës, Jahjaga, në kuadër të kompetencave të saj kushtetuese, ka filluar takimet me partitë dhe subjekteve parlamentare dhe ato janë në funksion të diskutimit për mënyrat dhe format e bashkëveprimit.
“Ajo ka thënë se të gjitha subjektet politike duhet të kërkojnë zgjidhje brenda institucioneve të Kosovës dhe me dialog, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Presidentja Jahjaga ka vlerësuar se debati dhe procesi i vendimmarrjes duhet të zhvillohet në institucione të Kosovës dhe aty të kontribuohet në hartimin, harmonizimin dhe zbatimin e politikave”, përfundon kumtesa.












