Jakup Krasniqi: Ndryshimet kushtetuese të jenë të plota
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se duhet bërë ndryshimi i nenit 84 të Kushtetutës i cili përcakton kompetencat e Presidentit. Pas takimit të kryesisë së Kuvendit, Krasniqi u shpreh në favor të një mandati të ri për Komisionin për ndryshimet kushtetuese me qëllim që të bëhet një amandamentim i plotë i Kushtetutës. Ndërkaq, përfaqësues të LDK-së dhe AAK-së u shprehën në favor të ndryshimeve në Kushtetutë, por jo për shtyrjen e zgjedhjeve.
Kushtetuta e Kosovës duhet të ndryshohet në mënyrë që të hiqen nga ajo dualizmat që kanë të bëjnë me kompetencat e Presidentit dhe Kryeministrit, ka thënë kryeparlamentari Jakup Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se Kryesia e Kuvendit ka vendosur që kërkesa e Komisionit për amendamentimin e kushtetutës për mandatë shtesë t’i dërgohet për miratim Kuvendit të Kosovës.
Sipas Krasniqit ndryshimet në Kushtetutë duhet të jenë të plota, e më pas të mbahen edhe zgjedhjet për president.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se LDK mendon që ndryshimet në Kushtetutë mund të bëhen në kohën e duhur dhe për këtë arsye nuk ka nevojë që të bëhet shtyrja e zgjedhjeve të cilat me rezolutën e Kuvendit duhet të mbahen këtë vit.
Ndërkaq, Ardian Gjini nga AAK-ja, theksoi se ndryshimet në nenin 84 të Kushtetutës duhet të bëhen, por kjo nuk do të thotë që zgjedhjet presidenciale duhet të shtyhen për një vit.
Kryeparlamentari Krasniqi dhe përfaqësues të LDK-së dhe AAK-së kanë komentuar edhe paralajmërimet e ‘Vetëvendosjes’ për bllokimin e kufijve me Serbinë duke theksuar se protestat janë të drejta të qytetarëve, por partitë parlamentare kanë obgimet e veta në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve.












