Kosovë, prokurori i Fatmir Limajt akuzohet për shkelje të ligjit
Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka vazhduar seanca e radhës për rastin ‘Kleçka’. Gjatë procesit gjyqësor ka pasur përplasje ndërmjet prokurorisë dhe palës mbrojtëse. Prokurori Mauricio Salustro ka marrë 47 dëshmi pas konfirmimit të aktakuzës për të pandehurit. Avokati mbrojtës Tahir Rrecaj, tha se kjo është e paligjshme dhe kërkoi hedhjen poshtë të këtyre dëshmive.
Në seancën e sotme statusore në rastin ‘Kleçka’ janë shqyrtuar kërkesat e palës mbrojtëse e cila ka kërkuar që 47 dëshmitë të cilat prokurori Mauricio Salustro i ka marrë pas fillimit të procesit gjyqësor të cilësohen si prova të papranueshme.
Avokati Mbrojtës i Fatmir Limajt, Tahir Rrecaj, tha se pala mbrojtëse i ka dorëzuar Gjykatës me shkrim kërkesat e tyre para 31 dhjetorit të vitit të kaluar. Kurse sot pala mbrojtëse, sipas tij ka dhënë argumente shtesë.
“Argumentet kryesore janë që prokurori ka marrë në pyetje dëshmitarët pasi ka filluar shqyrtimi gjyqësore në rastin ‘Kleçka’. Prokurori Publik nuk ka të drejt të ndërmerr hetime pas fazave të caktuara me ligj. Prokurori ka autorizime të plota të ndërmerr veprime hetimore vetëm nëse vazhdimi i hetimit lejohet nga Gjykata”, tha Rrecaj.
Mbrojtja e gjithashtu ka propozuar që në cilësinë e dëshmitarëve të thirren edhe ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në mënyrë që të vërtetohet alibia e Fatmir Limajt, i cili në prill të vitit 1999 nuk ka qenë në Kosovë.
“Ne qëndrojmë prapa asaj që t’i ftojmë si dëshmitarë të cilët i ka propozuar mbrojtja për të vërtetuar alibin e Limajt i cili në atë kohë nuk ka qenë në Kosovë, por në përgatitjen e operacionit ‘Shigjeta’ në Shqipëri”, theksoi Rrecaj. Seanca e radhës do të mbahet me 30 janar.












