Mbytja e Costa Concordia, gjendet kufoma e gjashtë në det!
Rritet numri i viktimave të anijes kroçera të mbytur ditën e shtunë në brigjet e ishullit Giglio në Itali. Trupi i pajetë i një burri u gjet gjatë orëve të natës nga zjarrfikësit, duke e çuar në 6 numrin e viktimave të aksidentit tragjik. Trupi i pajetë u gjet në urën e dytë të anijes, në një pjesë ende të pambuluar nga uji. Viktima kishte të veshur jelekun e shpëtimit dhe ishte një pasagjer.
48 orë nga mbytja, kur anija Costa Concordia e kthyer 90 gradë përpara ishullit të Giglio-s, numri i të zhdukurve llogaritet në 16, çka rrit frikën për të tjera viktima.
Ndërkaq është gjetur kutia e zezë e anijes nga ku janë marrë konfirmimet e para: Con
cordia ishte vetëm 150 metra nga brigjet e ishullit, në një pikë që nuk duhej të ishte dhe alarmi u dha një orë pas përplasjes.
Shumë pse që kërkojnë një përgjigje, ndërsa hetimi ka nisur dhe i akuzuari kryesor për tragjedinë është kapiteni i anijes, që sikurse është mësuar nga hetimet ishte ndër të parët që la anijen, ndërkohë që sipas ligjeve të detit kapiteni është i fundit që duhet të largohet prej saj.













