Pieter Feith: Plani i Vetëvendosjes, i padobishëm
Bllokimi i paraparë i dy pikëkalimeve kufitare nga ‘Vetëvendosja’ as nuk do ta ndihmojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës dhe as nuk do t’u ndihmojë përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ka thënë Përfaqësuesi Civil ndërkombëtar, Pieter Feith.
Sipas tij, plani i ‘Vetëvendosjes’ për t’i bllokuar pikëkalimet kufitare me Serbinë në Merdar dhe te Dheu i Bardhë të shtunën nuk do të jetë i dobishëm për përpjekjet e Qeverisë, shoqërisë civile dhe bashkësisë ndërkombëtare për të zhvilluar marrëdhënie normale dhe fqinjësore midis Serbisë dhe Kosovës.
“Kjo nuk është një sjellje e përgjegjshme nga ana e një organizate e cila është e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. Nëse veprimi i Vetëvendosjes realizohet, ky do ta dëmtojë reputacionin ndërkombëtar të Kosovës, ndërkohë që do të demonstrohet mungesë e respektimit të njërës nga vlerat thelbësore të Europës, që është liria e qarkullimit të mallrave dhe njerëzve.
Kosova ka përfituar dobi praktike për qytetarët e saj për shkak të angazhimit të saj konstruktiv në dialogun e ndihmuar nga BE-ja. Këto rezultate rrezikojnë të minohen nga aksioni i Vetëvendosjes”, ka deklaruar Feith












