Rama: Berisha të mbajë fjalën, të çlirojmë votën në 100-vjetorin e Pavarësisë
Një ditë pas debateve të ashpra në konferencën e kryetarëve në Kuvend, kreu i PS, Edi Rama reagoi lidhur me reformën zgjedhore. Ai i kërkoi kryeministrit Berisha të mbajë premtimin e dhënë se do të pranojë çdo propozim të opozitës për reformën zgjedhore.
“I bëj sot apel kreut të palës tjetër, për ta konsideruar përmirësimin e sistemit si dobiprurëse për vendin, shoqërinë, politikën. Nëse në 100 vjet shtet dhe 20 vjet liri nuk kemi arritur tu japim shqiptarëve të drejtën e votës, ne duam ta kthejmë këtë vit në atë të ndarjes përfundimtare nga realiteti i vjedhjes së zgjedhjeve për të vjedhur vendin”- tha Rama.
Ai kërkoi realizim të reformës brenda afatit të përcaktuar. Rama tha se reforma duhet të adresojë rekomandimet e OSBE, për lista të sakta e pa manipulim, identifikimi i zgjedhësve, numërimi i votave që të mos përsëriten numërimet maratonë, administratë zgjedhore që KQZ të mos jetë monopol i dy partive të mëdha.
“Duam reformë zgjedhore që të adresojë rishikimin e sistemit, duke e prekur ose jo Kushtetutën, me këtë nuk nënkuptojnë ndryshimin, por përmirësimin e tij”- pohoi Rama në daljen e tij para medias.













