Shnajder: Nuk iki nga Inter
Mesfushori holandez në radhët e Interit, Uesli Shnajder ia ka mbyllur dyert transferimit eventual në Mançester United, i cili ka kohë që është përfolur në media.
Shnajder ishte në shënjestër të “Djajve të Kuq” edhe në verën e kaluar, kurse Aleks Ferguson e sheh atë si zëvendësim ideal për Pol Skolsin. Në verë palët nuk arritën marrëveshje për shkak të kërkesave të larta financiare të futbollistit, por kishte zëra se Junajtedit edhe gjatë këtij dimri do të tentojë ta bindë holandezin për t’u transferuar në “Old Trafford”.
Megjithatë, është vetë Uesli Shnajder, ai, i cili ka bërë të ditur se nuk do t’i braktisë radhët e zikaltërve as gjatë këtij afati kalimtar. “Do të qëndroj te Interi. Në Itali po kaloj shkëlqyeshëm. Sinqerisht këtu ndihem mirë dhe nuk e kam ndërmend të largohem”, ka theksuar Shnajder.













