Publikuar në: Sun, Jan 15th, 2012

Vetëvendosja: Policia e Kosovës shtypi me dhunë protestën tonë paqësore

Lëvizja VETEVENDOSJE deklaroi se dje ka mbajtur një protestë paqësore. “Ne jemi ulur në rrugë para kordonave të shumta të policisë. Gjatë kësaj kohe Albin Kurti përsëriti disa herë që kjo protestë është paqësore në mbrojtje të Republikës së Kosovës dhe për prodhimin e vendit. Albini iu bëri thirrje shumë herë forcave policore që ishin në kordonin policor dhe eprorëve të tyre që të mos i sulmojnë protestuesit, sepse ata do të jenë paqësorë”, thuhet në deklartatën e Vetëvendiosjes.

Protesta nuk ka eskaluar, por është sulmuar dhe shtypur nga ndërhyrja e dhunshme e policisë. Sot, Qeveria ka shfrytëzuar policinë për të shkaktuar dhunë ndaj protestuesve paqësor, duke e bërë Kosovën shtet policor.

Nga mëngjesi policia ka provuar ta parandalojë protestën. Rruga prej Besianës për në Merdar është bllokuar para mesditës. Asnjë automjet nuk është lejuar që të kalojë dhe, madje, as kalimtarët, pra as udhëtarët që kanë ecur këmbë.

Prej orëve të hershme të mëngjesit, post blloqe të shumta të policisë i kanë ndaluar veturat dhe autobusët që udhëtonin jo vetëm për në Merdar, edhe nëse ishin nisur për Besianë. Protestuesit e shumtë paqësor u grumbulluan para kordonit policor i cili e kishte bllokuar rrugën Besianë-Merdar dhe nuk lejonte askënd të kalojë. Masa e protestuesve shtohej vazhdimisht meqë vinin grupe protestuesish të cilët i kishte vonuar Policia e Kosovës me kontrollimet dhe bastisjet që ua kishte bërë atyre dhe veturave e autobusëve me të cilët ata po udhëtonin.

Protestuesit ishin tërësisht paqësorë gjatë gjithë kohës. Ata në asnjë moment nuk e kanë provokuar dhe as sulmuar policinë. Albin Kurti foli disa herë me megafon nga rreshti i parë i protestës duke thënë që kjo protestë nuk është kundër policisë dhe policëve por kundër Serbisë dhe në përputhje me vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë. Albini tha që kjo protestë është paqësore në mbrojtje të Republikës së Kosovës dhe për prodhimin e vendit. Ai iu bëri thirrje shumë herë forcave policore që ishin në kordonin policor dhe eprorëve të tyre që të mos i sulmojnë protestuesit, sepse ata do të jenë paqësorë, dhe të mos i dëgjojnë urdhrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Qeverisë së Kosovës të cilat janë vënë në shërbim të hyrjeve dhe ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë.

Policia e Kosovës kërkoi që protestuesit t´i lejojnë automjetet të qarkullojnë dhe ashtu u bë: furgoni i VIPA Chips (prodhim i Kosovës) dhe rreth dhjetë vetura me targa të Republikës së Kosovës u lejuan që të kalojnë në drejtim të Besianës e Prishtinës.
Policëve të kordonit policor iu bashkuan forca të shumta të njësive speciale që, përkundër thirrjeve të Albinit, i sulmuan protestuesit paqësorë të cilët paraprakisht ishin ulur në asfalt para kordonit policor. Policia nisi me përdorimin e sprejit lotsjellës dhe shkopinjve të gomës dhe arrestoi me dhjetëra protestues. Dy policë e kapën Albinin por disa protestues e tërhoqën atë nga duart e policisë. Policia tashmë kishte hedhur edhe gaz lotsjellës dhe filloi edhe me topa uji të gjuajë mbi protestuesit, duke i hedhur predhat e gazit lotsjellës direkt në trupat e protestuesve, duke shkaktuar lëndime të shumta. Përdorimi i ujit të ftohtë ka shkallëzuar djegien e shkaktuar nga gazi lotsjellës dhe është përdorur në temperatura të ulëta. Kur u errësua, të paktën 10 furgonë të policisë kanë vozitur në shpejtësi të madhe në mes të protestuesve, duke i detyruar të largohen në fushat anash rrugës, ku më pas njësia speciale i ka ndjekur protestuesit dhe i ka rrahur brutalisht.

Pas shpërndarjes së dhunshme të protestës në Besianë policia ka dërguar përforcime te Dheu i Bardhë. Deri në këtë kohë protesta ka shkuar sipas skenarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ka qenë paqësore dhe është zbatuar vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për reciprocitet. Policia nuk ka intervenuar deri sa është errësuar. Ashtu sikur në Besianë, aktivistët janë ulur në asfalt, duke bllokuar njërën korsi të rrugës. Intervenimi i policisë ka qenë brutal, me shufra gome dhe metali, me shqelma, si dhe duke shkelur me çizme mbi protestuesit e ulur.
Dhjetëra protestues u lënduan vetëm në minutën e parë të intervenimit policor. Shumë të tjerë u lënduan e u plagosën më pas.
10 protestues janë të lënduar rëndë, 4 prej tyre janë dërguar në emergjencë. Valdrin Ahmetit i është çarë vetulla dhe i është enjtur balli meqë polici ka shtënë në drejtim të tij me pushkën që e hedhë gazin lotsjellës dhe e ka goditur Valdrinin në kokë. Islam Gajtani është në spitalin e Dardanës i lënduar në kurriz. Ibrahim Kushtovës dhe Shpresa Sejdiut u janë thyer këmbët. Të lënduar në kokë janë Alban Jupolli dhe Burim Hoqa.
Glauk Konjufca e rrahën brenda stacionit të policisë, duke e lënduar në gjoks dhe kokë. Gjithashtu Gëzon Kastrati u rrah gjatë arrestimit e edhe brenda furgonit të policisë.
Mbi 100 protestues u arrestuan në Besianë dhe te Dheu i Bardhë. Të konfirmuar janë 114. Përfshirë 5 deputetë dhe 8 anëtarë të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Kemi informacione se disa të arrestuarve u është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë. Deri tani të konfirmuar janë 15, por vetëm për 13 prej tyre i kemi emrat: Salih Zyba, Frashër Krasniqi, Hysen Durmishi, Pëllumb Xharra, Miftar Mehmeti, Musa Ajeti, Blerim Lushaku, Gëzim Hyseni, Sabri Bajraktari, Gëzim Jelliqi, Petrit Bajraktari, Genc Musa dhe Naim Bunjaku.

Shkruaj një koment

XHTML: Ju mund të përdorni këto kode: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>