Zinedine Zidan: Kritikat ndaj Mourinhos, janë të padrejta
Legjenda e futbollit francez, Zinedin Zidan, është vënë në mbrojtje të trajnerit portugez, Joze Mourinho, pas kritikave të shumta si rrjedhojë e humbjes së Real Madridit kundër Barcelonës në ndeshjen e parë çerekfinale për Kupën e Mbretit (1:2) në “Santiago Bernabeu”.
“Që nga mbrëmja e ‘El Clasico’-s kam dëgjuar shumë kritika të padrejta kundër Realit, kundër Mourinhos dhe vetë lojtarëve. Nuk i kuptoj ato që thuhen në lidhje me sistemin e vendosur nga Mourinho. Si trajner ju mund të vendosni sistemin që dëshironi. Derisa skuadra ishte duke fituar të gjithë ishin të lumtur. Unë isha në ‘Bernabeu’ dhe nuk dëgjova askënd duke kritikuar sistemin e lojës së Mourinhos. Para ndeshjes të gjithë mundoheshin ta zbulonin 11-shen e Realit, por për herë të parë e pranuan në heshtje zgjedhjen e bërë nga Mourinho, sepse e kishin kuptuar se ai kishte punuar shumë. Por, pas pak minutave në pjesën e dytë ndodhi ai gabim në mbrojtje dhe goli i Pujolit. Diçka që më të vërtetë na goditi rëndë”, ka thënë Zidan në një intervistë për të përditshmen sportive ”AS”.
“Nuk i kuptoj disa njerëz në media që kritikojnë Mourinhon. Si mund të pranojmë të thuhet diçka e tillë se duhet të ndërrojmë trajnerin. A jemi të çmendur apo çfarë? Ne jemi me fat që kemi Mhurinhon, trajner i cili bën që gjërat të evoluojnë dhe i cili po ndërton një Real të fortë. Sulmi mbi Mourinhon është sulm mbi Realin”, ka shtuar Zidan.













