Berisha: Rënia në detyrë e Feti Voglit na motivon më shumë për lirinë
TIRANE – UPDATE – Këshilli i Ministrave, me propozim të Kryeministrit Berisha, mbajti sot në hapje të mbledhjes së tij, një minutë heshtje në kujtim e nderim të Kapiten Feti Vogli, efektiv i kontingjentit “Eagle 4” në Afganistan, i cili ra në krye të detyrës në Kandahar.
Duke ftuar anëtarët e qeverisë për të nderuar me një minutë heshtje Kapiten Feti Voglin, Kryeministri Berisha tha:
“Dy ditë më parë, në Kandahar, ra në krye të detyrës një komando i njësisë sonë luftarake, Kapiten Feti Vogli dhe mbetën të plagosur dy komando të tjerë, komandos shqiptar Aleksandër Peci dhe tjetri, një ushtarak i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Duke i uruar shërim të shpejtë dhe të plotë të dy komandove të plagosur në këtë ngjarje, unë ju ftoj ju të nderojmë me një minutë heshtje Kapiten Feti Voglin, që ra si burrat në krye të detyrës, në një mision sa njerëzor, aq edhe hyjnor, pasi paqja është edhe kushti më themelor i jetës dhe zhvillimit. Ai ra në një vend mik, ku, në kuadrin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, Shqipëria ka një prezencë për frymë ndër më të lartat.
Rënia e Kapiten Feti Voglit shton detyrimin tonë për të bërë gjithçka për paqen në këtë vend, i cili ka një rëndësi shumë të veçantë për sigurinë në Europë e në botë. Le të nderojmë me një minutë heshtje kujtimin e veprën e ndritur të Kapiten Feti Voglit.”













