Berisha: Të nderojmë Kapiten Voglin! Mjekësia amerikane, gjithçka për t’i shpëtuar jetën Aleksandrit
Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mesditë, një vizitë ngushëllimi në shtëpinë e familjes së Kapiten Feti Vogli, efektiv i forcave të kontingjentit “Eagle 4” në Afganistan, i cili ra dje, në krye të detyrës, në Kandahar.
Kryeministri u shprehu prindërve, bashkëshortes dhe të afërmve ngushëllimet për humbjen e jetës së njeriut të tyre të dashur, por edhe nderimin për sakrificën e Kapiten Voglit, në emër të paqes dhe lirisë.
Duke folur më pas për mediat, Kryeministri u shpreh: Erdha për të shprehur ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim, të familjes sime dhe të qeverisë shqiptare, për të ndarë dhimbjen e pikëllimin me familjen e Kapiten Feti Voglit, që ra për t’u bërë i pavdekshëm, në një mision fisnik paqeje, në Kandahar, Afganistan. Cilido që e ka njohur, ka njohur tek biri i kësaj familje, tek Kapiten Feti Vogli virtytet më të arrira të një njeriu të mrekullueshëm, të një ushtaraku të përgjegjshëm, një bashkëshorti dhe djali shembullor.
Unë përcolla gjithashtu, ngushëllimet e bashkëluftëtarëve të tij, me komandantin e të cilëve zhvillova mbrëmë një bisedë telefonike, të cilët ishin të tronditur thellë e të pikëlluar për humbjen e vëllait, mikut e bashkëluftëtarit të tyre, Kapiten Feti Vogli.
Solla gjithashtu, ngushëllimet e Gjeneralit John Allen, Komandant i Forcave të NATO-s në Afganistan, i cili shprehu dhimbjen më të madhe për rënien në krye të detyrës të Kapiten Voglit dhe më kërkoi t’u përcillja familjarëve të Kapiten Voglit, ngushëllimet e tij dhe të Komandës së NATO-s në Afganistan.
Unë jam i bindur se sot, me familjen Vogli, me prindërit, bashkëshorten, vëllain, janë të gjithë shqiptarët, që marrin nga një copë dhimbje, zi e pikëllim që t’ia lehtësojnë dhimbjen kësaj familje të nderuar.
Edhe një herë, duke shprehur ngushëllimet, lutemi që shpirti i Kapiten Voglit të gjejë paqen që meriton. Ky burrë i dha nder çdo shqiptari, me sakrificën e tij sublime, në emër të paqes, jetës e lirisë, për të cilën u sakrifikua.
Zoti Kryeministër, cili është informacioni i fundit për Nëntetar Aleksandër Peçi?
Kryeministri Berisha: Informacionet e fundit janë që brenda një kohe të shkurtër do të transportohet nga spitali, në të cilin ndodhet në Kandahar, në një spital të posaçëm në Gjermani dhe uroj që të ketë një ecuri sa më të mbarë dhe shërim të shpejtë. Gjendja e tij shëndetësore, natyrisht, ka problemet e veta, por mjekësia amerikane do të bëjë gjithçka për t’i shpëtuar jetën Aleksandrit.













