Gafa me komandon e plagosur, e bënë të vdekur, Ministria e Mbrojtjes s`kërkon falje
Ministria e Mbrojtjes në Tiranë nuk gjen forcën, kurajën por edhe profesionalizimin të kërkojë ndjesë publike për familjen e komandos Aleksandër Peci, të cilën e pikëlloi dje me lajmin e rremë për vdekjen e paqenë të ushtarakut shqiptar.
Në një deklaratë në lidhje me ecurinë e mjekimit të nëntetar Pecit, ministria e Mbrojtjes mundohet të justifikojë gafën e rëndë të bërë ditën e djeshme.
“Pas lajmeve tronditëse për fatin e nëntetar Aleksandër Peci, lajme të cilat u morën në rrugë zyrtare nga autoritetet komanduese të ISAF dhe iu përcollën menjëherë publikut, njoftimet e mbrëmjes së djeshme që konfirmonin se nëntetar Peci ishte në jetë kanë lehtësuar gjendjen emocionale të familjarëve të tij, ashtu sikundër janë pritur me gëzim të madh nga Forcat e Armatosura dhe nga gjithë shqiptarët”, shkruan ministria e Mbrojtjes në deklaratën e sotme.
Nëse kjo ministri ishte referuar në burime zyrtare, atëherë nuk ka përse të tregojë kompleksimin e saj nga kjo situatë, por mund ti qëndrojë versioneve zyrtare të informacioneve që përcillen. Por kurrsesi kjo ministri, ky dikaster dhe drejtuesit e saj, nuk duhet të lendonin dhe të lëndojnë familjen e një ushtaraku që po lufton me vdekjen të cilit fati i rezervi mrekullinë e të qenit gjallë.














