Mbytja e Costa Concordia, gjenden edhe katër viktima
Forcat e kërkim-shpëtimit kanë gjetur edhe katër trupa të tjerë në rrënojat e anijes së mbytur Costa Concordia.
Mediat italiane bëjnë të ditur se mes trupave është edhe ai i një vajze 5-vjeçare. Sipas zyrtarëve, 32 persona humbën jetën në tragjedinë e 13 janarit, por me gjetjet e sotme, janë rekuperuar vetëm 21 trupa.
Një zyrtar në ishullin e Giglios, aty ku u fundos anija konfirmoi lajmin e publikuar në media, por nuk ishte në gjendje të thoshte se sa ishte numri i trupave të gjetur. Francesca Maffini tha për agjencinë AFP se trupat ishin të dekompozuar si pasojë e qëndrimit të gjatë nën ujë.
Pak ditë më parë, autoritetet kanë nisur edhe largimin e karburantit nga anija e fundosur. Deri tani janë larguar mbi 2300 ton.













