Miqësorja me Gjeorgjinë, De Biazi lë jashtë Admir Telin e Hamdi Salihin
Në prag të publikimit të listës zyrtare të futbollistëve që do të grumbullohen për ndeshjen miqësore kundër Gjerogjisë, trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi ka konfirmuar mungesën për këtë sfidë të Hamdi Salihit dhe Admir Telit.
Dy lojtarët janë lënë jashtë nga tekniku italian, i cili e ka mbështetur zgjedhjen e tij në faktin se i njeh mirë ata dhe se kërkon të provojë futbollistë të rinj.
“Kjo gjë ka të bëjë me një zgjedhje teknike. I njoh shumë mirë të dy lojtarët, pasi kam parë mbi 20 ndeshje të tyre. Pastaj Salihi ka kohë pa luajtur dhe sapo është tranferuar në Amerikë. E di që mund të mbështetem tek ai, ndërsa kundër Gjerogjisë dua të provoj lojtarë të rinj”, u shpreh Gianni De Biasi, trajner i kombëtares.
Sfida kundër Gjeorgjisë është e para për De Biasin në pankinën kuqezi, ndërsa duke nisur nga Tbilisi, trajneri do të nisë injektimin e filozofisë së tij te skuadra shqiptare.
“Do të jetë e vështirë, pasi kam pak kohë për të shpjeguar skuadrës aspketin tekniko-taknik. Kjo është ndeshja e parë dhe shpresoj të shkojë në mënyrën më të mirë. Sidoqoftë do të mundohemi të jemi më të shpejtë dhe agresivë në lojën tonë”,- tha De Biasi.
Ndeshja kundër Gjeorgjisë do të zhvillohet më 29 shkurt, ndërsa lista zyrtare e lojtarëve të grumbulluar pritet të publikohet gjatë ditës së enjte.













