Rama pret Sekretarin e Shtetit të Zvicrës: Shqetësim sundimi i ligjit
Në takimin me Sekretarin e Shtetit për Punët e Jashtme të Zvicrës, zotin Peter Maurer, Kryetari i Partisë Socialiste, zoti Edi Rama, duke vlerësuar kontributin që ofron shteti zviceran përmes programeve të asistencës për zhvillimin dhe forcimin e kapaciteteve në Shqipëri, theksoi domosdoshmërinë për shtrirjen e kësaj përvoje pozitive dhe në fusha të tjera, si dhe të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes vendeve tona.
Në vijim të interesimit të bashkëbiseduesit, Kryetari i PS u ndal mbi problemet e mprehta me të cilat përballet Shqipëria si sundimi i ligjit, presioni ndaj institucioneve të pavarura, korrupsionin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor. Sekretari i Shtetit për Punët e Jashtme të Zvicrës, zoti Peter Maurer, falenderoi Kryetarin e PS për analizën e situatës aktuale në vend, si dhe sugjerimet konkrete për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona përmes programeve me interes prioritar. Në këtë takim, ishte e pranishme dhe Ambasadorja e Konfederatës Zvicerane në Shqipëri Yvona Enzler.













