Rama viziton familjen e dëshmorit Feti Vogli: Dhimbje e jashtëzakonshme
Kreu i PS Edi Rama ishte sot pasdite në familjen e dëshmorit Feti Vogli, për të ngushëlluar të afërmit për humbjen e të dashurit të tyre. Kapiteni Feti Vogli ishte efektiv i forcave të kontingjentit paqeruajtës “Eagle 4” në Afganistan, i cili ra dje në krye të detyrës gjatë një misioni në Kandahar. Në një prononcim për median, Rama tha se rënia e kapitenit Vogli në krye të detyrës, është një arsye më shumë për të vazhduar betejën krah për krah me SHBA-në dhe të gjithë aleatët tanë të mëdhenj.
“Sigurisht që për familjen është një dhimbje e jashtëzakonshme, por është padyshim një dhimbje e madhe sot për të gjithë kombin tonë. Dhe nga ana tjetër prindërit, vëllai, motra, të afërmit janë padyshim të parët që duhen të jenë krenarë për djalin e tyre, ashtu siç jemi të gjithë krenarë. Kjo është një arsye edhe më e fortë, një arsye më shumë për të vazhduar betejën krah për krah me SHBA-në dhe të gjithë aleatët tanë të mëdhenj, kundër një të keqeje të madhe që synon të terrorizojë dhe gjunjëzojë botën” – u shpreh Rama. Kryesocialisti Edi Rama shoqërohej nga deputetët Arta Dade, Artan Gaçi dhe Xhemal Qefalia.













