Gjykata e Apelit rrëzon sërish Prokurorinë, lë në “arrest shtëpie” Ndrea Prendin
UPDATE–Gjykata e Apelit la sërish në arrest shtëpie ish-Komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendi. Në seancën e zhvilluar pas mesditës së të mërkurës trupi gjykues vlerësoi jo në përputhje me kriteret e duhura ligjore kërkesën e Prokurorisë për revokimin e masës së arrestit nga “arrest shtëpie” në “arrest me burg” për Ndrea Prendin.
Lajmi i meparshem:
Avokati mbrojtës i ish-Komandantit të Gardës së Republikës së Shqipërisë Ndrea Prendi ka kërkuar largimin nga trupi gjykues në Gjykatën e Apelit të Zeqine Sollakut, gruaja e ish-kryeprokurorit. Mbledhja e parashikuar për në orën 10:30 për rivlerësimin e masës së sigurisë për ish komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi i akuzuar për vrasjen e protestuesit Faik Myrtajt me 21 janar nuk është kryer. Avokati Genci Gjokutaj ka kërkuar largimin e Sollakut nën pretendimin se ka papajtueshmëri ligjore që lidhet me detyrën që ka ushtruar më parë bashkëshorti i saj Theodhori Sollaku si Kryeprokuror i Pergjithshëm. Gjokutaj tha se ka të dhëna për një konflikt mes Sollakut dhe Ndrea Prendit në vitin 2006 dhe si e tillë nuk mundet që gruaja të gjykojë në këtë proces.













