Sherri në Kandahar, CNN: Ja si u vra komando shqiptar në Afganistan
Lajmi i meparshem: Qeveria afgane: Komando shqiptar u vra në sherr, jo në sulm!
Rrjeti mediatik amerikan CNN i njohur për mbulimin e ngjarjeve ndërkombëtare, jep një optikë tjetër për ngjarjen ku mbeti i vrarë kapiteni i ushtrisë shqiptare Feti Vogli dhe u plagos rëndë Aleksandër Peci.
“Një person i veshur me uniformë të policisë afgane hapi zjarr mbi trupat e NATO-s në Afganistan, duke vrarë një, tha NATO, në atë që duket si i fundit i një serie sulmesh të forcave të sigurisë afgane, që kthejnë armët kundër trupave ndërkombëtare, me të cilat supozohet se janë aleatë.
Një ushtar shqiptar u vra dhe tre trupa të tjera u plagosën, përfshi dy shqiptarë dhe një amerikan, sipas qeverisë lokale në Kandahar, ku ndodhi edhe ngjarja”, raporton CNN.
Sipas rrjetit gjigand mediatik në SHBA, dhuna erdhi si rezultat i një grindjeje mes policisë afgane dhe ushtarëve të koalicionit, që po shpërndanin dokumente për studentët në atë zonë, bëri të ditur zyra për shtyp e Kandaharit.
“Një arrestim u bë dhe incidenti po hetohet, bëri të ditur zyra e shtypit”, citon CNN.
Sipas saj, forca e sigurisë së NATO-së lëshoi një deklaratë të shkurtër ku konfirmohej zjarri dhe vdekja, por pa dhënë as kombësinë e ushtarit apo detaje të tjera. Sipas trupave shumëkombëshe, kohët e fundit ka pasur së paku 42 sulme të forcave të sigurisë afgane mbi aleatët ndërkombëtarë gjatë pesë viteve të fundit, bëri të ditur një ligjvënës i lartë amerikan.













