PRAGË – Policia çeke tha se shkatërroi një organizatë kriminale që kryente falsifikim
pasaportash ndërkombëtare me qëllim shitjen e tyre për emigrantët.
“Policia ka shkatërruar një bandë ndërkombëtare të dyshuar për prodhimin e pasaportave të falsifikuara çeke dhe furnizimin me to, të emigrantëve të paligjshëm dhe ndoshta grupeve të krimit”, thuhet në një deklaratë që shpërndau policia.
Zëdhënësi i policisë çeke në Pragë, Pavel Hantak thotë se dy të dyshuarit janë një 41-vjeçar shqiptar dhe një grua çeke.
“Ata u arrestuan muajin e kaluar në Republikën Çeke, ndërsa një burrë rumun u arrestua në vendin e tij”, tha zëdhënësi i policisë.
Ai shtoi se autoritetet britanike po hetojnë një anglez 42-vjeçar të dyshuar për implikim në këtë rast.
Sipas polcicië, persona të dyshuar për përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, duke përfshirë edhe emigrantë iranianë, janë arrestuar në Britani, Gjermani dhe Spanjë. Hetimi filloi nga këto raste.
Zëdhënësi Hantak tha të mërkurën se policia është duke bashkëpunuar edhe me autoritetet në Austri, Francë, Greqi dhe Zvicër për hetimin e rrjetit kriminal por ai nuk dha hollësi të mëtejshme. (Lajmifundit)








