KORÇE – Personi që vrau sot me sopatë gruan e tij dhe më pas plagosi edhe vajzën dhe kunatin, dyshohet të jetë i sëmurë
mendor.
Menjëherë pas krimit të rëndë të ndodhur sot në fshatin Eçmenik të Devollit, policia ka marrë në pyetje të afërmit e autorit të ngjarjes, të cilët thanë se kohët e fundit, 65-vjeçari kishte shfaqur shenja të çrregullimeve mendore.
Sipas dëshmive të mbledhura nga policia, dy ditë më parë, shtetasi tashmë i arrestuar Hekuran Demiraj, vrasësi i gruas së tij, ishte vizituar tek mjeku psikiatër i Korçës, pas problemeve mendore që ka pasur kohët e fundit.
Policia njoftoi ndërkohë se kunati dhe vajza e vrasësit, të cilët u plagosën ndërsa po tentonin të shpëtonin viktimën e masakrës, ndodhen në spitalin rajonal të Korçës, në gjendje pa rrezik për jetën.
Shkaqet e ngjarjes mbeten ende të paqarta ndërsa policia ka pohuar se vrasja e gruas 60-vjeçare, mund të ketë ardhur pas një konflikti të momentit në familje i cili ka acaruar gjendjen e 65-vjeçarit.
Artikulli i ora: 14:05
Devoll. 65-vjeçari vret gruan me sopatë, plagos vajzën e kunatin
KORÇE – Tragjedi në një familje në Devoll, burri vret gruan më sopatë, plagos vajzën dhe kunatin e tij.
Ngjarja ka ndodhur pak minuta më parë kur shtetasi Hekuran Demiraj, 65 vjeç, ka qëlluar me sopatë gruan e tij shtetasen Basie Demiraj, të cilës i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Policia e cila është nisur drejt fshatit Eçmenik ku ndodhi ngjarja, tha se në këtë tragjedi mbetën të plagosur edhe vajza 20-vjeçare e vrasësit dhe kunati i tij.
Autori i vrasjes është arrestuar ndërkohë që po tentonte të largohej nga fshati ndërsa dy të plagosurit u transportuan në spital.
Vajza dhe kunati kanë tentuar të ndërhyjnë për ti shpëtuar jetën 60-vjeçares Basie Demiraj, dhe në këtë kohë janë goditur nga shtetasi Hekuran Demiraj.
Policia thotë se shkaqet e ngjarjes ende janë të paqarta ndërsa po punohet për zbardhjen e motivit të krimit. (Lajmifundit)








