TROPOJE – Lajmifundit – Një person i arrestuar nga policia për akuzën e vjedhjes,
ndërsa mbahej në dhomat e paraburgimit “zbuloi” parcelën me bimë narkotike që kishte mbjellë në fshat.
Burime zyrtare nga policia kanë pohuar se mesnatën e kaluar policia e Tropojës arrestoi shtetasin Demir Neçaj, 24 vjeç, nga fshati Peraj komuna Lekbibaj, Tropojë, i kërkuar nga policia e qarkut të Shkodrës për vjedhje me dhunë në bashkëpunim.
Pasi është ndaluar nga policia, i dyshuari u ka thënë hetuesve se në tokën e tij në fshat ka mbjellë edhe një sasi bimësh narkotike kanavis sativa.
"Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së bashku me personin e ndaluar ku ka rezultuar se ai kishte mbjellë 125 rrënjë bimë narkotike", kanë pohuar burimet zyrtare të policisë së shtetit.
Sipas tyre, policia shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes duke asgjëruar bimët narkotike. Vitin e kaluar në zonën e Lekbibajt, u korrën nga policia mbi 9500 rrënjë kanabis sativa.








