PS: Ulja e normës së interesit, e vonuar dhe pa efekt
TIRANE—Lajmifundit—Deputetja socialiste Mimi Kodheli deklaroi se guvernatori i Bankës së Shqipërisë, plotësoi kërkesën e radhës së qeverisë duke ulur normën e interesit në një përpjekje të dëshpëruar për të ndihmuar pushtetin e Sali Berishës. “Ky vendim tregon se jo
vetëm vendi është në një krizë të rëndë ekonomike, po se kjo është pranuar me fakte edhe pse jo me fjalë, nga ky pushtet që vodhi zgjedhjet për të grabitur Shqipërinë”, theksoi Kodheli. Ajo shtoi se, Guvernatori i BSH pranoi dje atë që shqiptarët provojnë përditë në kurriz për shkak të keqqeverisjes: 1.Ecuria e konsumit të brendshëm është e ngadaltë. 2. Investimet private janë në rënie. 3. Reduktimi drastik i investimeve publike e ka tkurrur rëndshëm ekonominë. “Ndërsa ne themi sot se ulja e normës së interesit që lajmëroi guvernatori është jo vetëm shumë e vonuar, por nuk asnjë gjasë të ndikojë në përmirësimin e situatës ekonomike. Kriza e ka vënë poshtë vendin dhe e ka lënë prapa qeverinë. E cila nuk e ndjek dot ritmin e përshpejtuar të krizës, sepse kërkon ta fshehë atë ndërkohë që vetëm grabit e dëmton për interesat e oborrit të pushtetit. Pa transparencë për zgjedhjet, ekonominë, qeverisjen, nuk asnjë gjasë të ketë demokraci funksionale, zhvillim e mirëqenie dhe shtet të së drejtës për të gjithë”, u shpreh Kodheli.








