Burime nga Prokuroria e Tiranës kanë pohuar se ditën e sotme më 8 shtator, Arian tartarit i është kërkuar të paraqitet në zyrat e Njësisë Task Force Antikorrupsion për të dhënë deklarime në lidhje me hetimet e nisura për akuzat e korrupsionit me lejet e ndërtimit dhe koncesionet e hidrocentraleve.
Zyrtarë të Prokurorisë, kanë thënë se përpjekjet e tyre për njoftimin e shtetasit Arian Tartari për tu paraqitur në prokurori për dhënien e deklarimeve kanë dështuar. Sipas Prokurorisë, biznesmeni rezulton të jetë larguar nga Shqipëria së në muajin gusht.
Për llogari të hetimeve që po zhvillohet mbi akuzat politike mes PD dhe PS, Prokuroria ka marrë në pyetje deri tani biznesmenët Ilir Trebicka, Kujtim Hasa, Ylber Cami, Rrahman Selmanllari dhe Dritan Avllaj, të gjithë nënshkrues dhe pjesëmarrës në kontratën e bërë publike nga deputetja Albana Vokshi, e cila pretendoi se pjesëmarrja e “Tan Leprit” me 20 për qind në këtë kontratë në kuadër të shoqërisë së biznesit “Vision Construction” ishte një rryshfet i dhënë për biznesmenin mik të Edi Ramës, me qëllim përfitimin e lejes së ndërtimit.
I vetmi i përfshirë në këtë kontratë i cili nuk është paraqitur në prokurori është partneri i Albana Vokshit, Arian Tartari, i cili sipas verifikimeve të prokurorisë në sistemin TIMS, ka dalë nga Shqipëria që në muajin gusht dhe nuk është kthyer më.








