Friday, Sep 03rd

Last update:10:52:27 PM GMT

You are here: Nderkombetare Rajoni Reduktimi i trupave të NATO-s, Imami: Do kërkohet mendimi i Kosovës

Reduktimi i trupave të NATO-s, Imami: Do kërkohet mendimi i Kosovës

E-mail Print PDF
Reduktimi i trupave të NATO-s, Imami: Do kërkohet mendimi i Kosovës

“Çdo vendim për strukturimin e misionit të NATO-s në Kosovë do të merret pasi të jetë shqyrtuar gjendja dhe të jenë pyetur aktorët. Te këta të fundit, para së gjithash kam parasysh aktorët lokalë”, tha Arben Imami, ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë. Ai foli në një interviste me RFE lidhur me reduktimin e trupave ushtarake të NATO-s në Kosovë. 
Zoti ministër, gjatë ditëve të fundit, keni marrë pjesë në takimin e ministrave të mbrojtjes së NATO-s në Stamboll, ku u diskutua dhe për ristrukturimin e KFOR-it. Çfarë mund të thoni konkretisht për këtë ristrukturim?
Ajo që mund të themi është se ka një vlerësim të përgjithshëm, të cilin e ndan dhe Shqipëria, se historia e NATO-s në Kosovë, është një histori suksesi. Vendi ka ardhur drejt stabilizimit, kemi një vend ku janë mbajtur zgjedhje të rregullta dhe që ka dëshmuar maturi politike.
Gjendja e përgjithshme e sigurisë është e kënaqshme dhe kjo bën që dhe prezenca e ushtarake do të shkojë në raport të zhdrejtë me rritjen e sigurisë. Ne, në mënyrë të veçantë, jemi të interesuar që ky proporcionalitet të jetë sa më i qartë.
Duke pasur parasysh që pjesa e veriut të Kosovës është në një masë të caktuar jashtë kontrollit të autoriteteve vendore atje dhe duke pasur parasysh që strukturat e pushtetit lokal janë të sponsorizuara nga Beogradi, çka shkon kundër të gjitha përpjekjeve të Aleancës dhe të aleatëve, mendojmë që çdo hap duhet të jetë i kujdesshëm.
Besoj se kjo bindje mbizotëron.
Në këndvështrimin tuaj dhe të vendeve të tjera anëtare, a mendoni se numri prej 4000 trupash që pritet të reduktojë KFOR-i në vitin 2011, sipas raporteve të agjencive të lajmeve, është i mjaftueshëm për të ruajtur stabilitetin në Kosovë?
Nuk po flasim për numra. Megjithatë, më duhet të them se nuk është ky numër. Ajo që është e rëndësishme, është se çdo vendim do të merret pasi të jetë shqyrtuar gjendja dhe pasi të jenë pyetur aktorët.
Kur flisni për aktorët, a do të këshillohet Aleanca me institucionet e Kosovës për ristrukturimin e KFOR-it?
Kur flas për aktorët para së gjithash flas për aktorët lokalë. Po, ata do të kenë rolin e tyre.
Kur flasim për ristrukturimin e KFOR-it a do të përfshihet Shqipëria drejtpërdrejt në këtë mision?
Shqipëria e ka deklaruar që nuk do të çojë trupa atje. Ne kemi thënë se Shqipëria do të dërgojë oficerë në kuadër të NATO-s për përgatitjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Njëherësh, do të japim dhe ndihma materiale dhe financiare për FSK-në. Rritja e kapaciteteve të FSK-së është fondamentale për stabilitetin në Kosovë dhe për realizimin e planit, për të cilin po flasim.