Glagou – Tre azilkërkuesit që kryen vetëvrasje duke u hedhur nga një ndërtesë 15 katshe, pak ditë më parë në Skoci, për të cilët u pretendua se ishin shqiptarë, në fakt kanë qenë rusë.
Mail Online lajmëroi se viktimat e vetëvrasjes së trefishtë ishin shtetas rusë, të cilët kishin kërkuar azil në Britani të Madhe.
Viktimat kanë qenë babai, nëna dhe djali, i një familje ruse, të cilët patën fituar azil në Kanada por ishin larguar që andej pas mosmarrëveshjeve që patën me autoritetet.
Babai, ishte 43-vjeçari, Serge Serykh, i cili ka pretenduar se ishte pjesëtar i shërbimit sekret rus, ndërsa mendohet se vuante nga problem mendore.
Gruaja dhe djali i 43-vjeçarit ishin tmerruar ndërkohë kur mësuan se do të ktheheshin të detyruar në Rusi, duke vendosur kështu të bëjnë vetëvrasje.
Sipas medias angleze, familja ruse u largua nga Kanadaja në vitin 2007, ata për dhjetë ditë udhëtuan në Frankfurt, Amsterdam, Bremën, Barcelonë dhe Dublin, para se të arrinin në Londër.
Ata kontaktuan me një parlamentar britanik të cilit i thanë se kryeministri kanadez ishte duke komplotuar kundër mbretëreshës.
Artikulli i mëparshëm, 08 March 2010, ora 14:00
“Tre personat e hedhur nga pallati në Skoci, s`janë kosovarë”
LONDER - Tre persona që dje kanë bërë vetëvrasje në Skoci, nuk janë kosovarë. Këtë e konfirmoi sot ambasadori i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti.
Ai tha se autoritetet britanike, kanë konfirmuar se tre personat nuk janë kosovarë, duke mohuar kështu lajmin që është dhënë në disa media.
“Autoritete zyrtare britanike e konfirmojnë zyrtarisht se njerëzit, për të cilët është dyshuar se ishin shtetas të Kosovës dhe kishin bërë vetëvrasje dje, nuk janë shtetas të Kosovës. Do të thotë sa i përket këtij elementi lajmi është i pasaktë. Ne nuk e dimë se shtetas të kujt janë ata persona, fundja autoritetet britanike nuk e kanë për obligim që ambasadën e Kosovës të njoftojnë për shtetësinë apo edhe motivet e vetëvrasjes së vendeve të tjera. Ambasada e Kosovës është përpjekur që nga momenti i parë që të marrë vesh apo edhe të konstatojë vërtetësinë e lajmit, sepse ishte shqetësuese kur në lajme doli se ata persona ishin shtetas të Kosovës. Por, tani jemi të lumtur të njoftojmë se nuk bëhet fjalë për shtetas të Kosovës”, tha Hamiti. (Lajmifundit)








