Sot në Sarajevë fillon Samiti i Bashkimit Evropian kushtuar Ballkanit Perëndimor. Kosovën e përfaqëson ministri i Jashtëm
Skender Hyseni.
Në konferencë do të marrin pjesë 48 delegacione që kanë arritur dje dhe sot në mëngjes, nga vendet e rajonit, përafqësuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së, SHBA-së, Rusisë, Turqisë, Këshillit të Evropës, OSBE-së, NATO-s dhe të Komisionit të Venecias. Në konferencë do të marrin pjesë edhe përfaqësuesja e BE për politikën e Jashtme e të Sigurisë Ketrin Eshton si dhe komisioneri për shtrirje Shtefan Fyle.
Disa vende të BE-së do të dërgojnë ministrat e Jashtëm, tjerat drejtorët politik apo zëvendësit e vet. Është njoftuar se nuk do të marrë pjesë ministri i Jashtëm i Francës Bernar Kushner dhe ai i Gjermanisë Guido Vstervele. Në cilësi të vëzhguesit SHBA-të do t'i përfaqësojë zëvendës-sekretari i shtetit Xhejms Stajnberg, Turqinë ministri Ahmet Davutoglu kurse Rusinë ambasadori i këtij vendi në Satrajevë, Aleksandar Bocan Harçenko.
Takimi do të fillojë në ora 9 dhe do të përfundojë me një konferencë për gazetarë të mbajtur nga ministri i Jashtëm i Spanjës Moratinos dhe ai i Bosnjës e Hercegovinës Alkalaj.
Tema të konferencës janë integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet midis vendeve fqinje, zbatimi i reformave në shtetet e rajonit si dhe pasojat e krizës ekonomike botërore. Në takim përfaqësuesit e BE-së do ta paraqesin përkushtim për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe me këtë konferencë do të japin një impuls të ri këtij integrimi. Tubimi do të mbahet sipas formatit “GIMNIH”, pa cekjen e funksioneve dhe emrin e shteteve pjesëmarrëse, që ka qenë kompromis për pjesëmarrjen edhe të Kosovës në këtë takim, të cilën gjë më herët e ka kundërshtuar Serbia. Prandaj konferenca e ka edhe simbolikën e vet sepse për herë të parë në një tubim të tillë të lartë ndërkombëtar do të jenë në një sallë ministrat e Jashtëm të Serbisë dhe të Kosovës, Vuk Jeremiq e Skënder Hyseni. Ata të dy janë të vendosur në hotelin "Holidej pro" nuk dihet nëse kanë pasur ndonjë takim kalimthi apo shtrëngim duarsh sikur që ende nuk dihet se si do të ulen në sallë. Ky akt sipas analistëve të shumtë shënon edhe faqe të re të raporteve në marrëdhëniet e vendeve të rajonit dhe mund të ndikojë në relaksimin e tyre.
Në tubim merr pjesë edhe shefi i UNMIK-ut Lamberto Zanieri i cili sipas njoftimeve do të flas në emër të misionit të KB, e jo të Kosovës.
Ideja e organizatorit ka qenë që në konferencë të miratohet deklarata e përbashkët. Mirëpo burimet e informuara mirë thonë se për këtë nuk është arritur pelqimi, kështu që takimi do të përfundojë vetëm me një “deklaratë modeste presidenciale” të hartuar nga Spanja. Konferencën po e përcjellin mbi 300 gazetarë. (rtk)







