TIRANE - Ambasadori amerikan në Tiranë John Uidhers kërkoi përsëri sot që Shërbimi
Informativ Shtetëror të jetë i lirë dhe i pa ndikuar nga politika.
Në fjalën e tij në tryezën e organizuar nga ish-presidentët Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, ambasadori i SHBA në Tiranë, tha se shpeshherë në vendet me demokraci të pa konsoliduar Shërbimet Informative shtrembërohen dhe përdoren për mbrojtjen e atyre që janë në pushtet.
Gjatë fjalës së tij, ambasadori amerikan i bëri thirrje qeverisë të pranojë ndihmën dhe ekspertizën ndërkombëtare në hartimin e projektligjit. (Lajmifundit)
Më poshtë, fjala e ambasadorit amerikan:
Presidenti Moisiu, Presidenti Meidani, kolegë ambasadorë, miq të nderuar dhe pjesëmarrës në këtë tryezë të rrumbullakët.
Çfarë dëshirojmë të shohim për Shqipërinë? Të gjithë jemi mbledhur këtu si njerëz që janë miq të Shqipërisë dhe mbështetës të demokracisë Shqiptare. Jemi mbledhur këtu me qëllimet më të mira; jemi mbledhur këtu për të qenë të dobishëm.
Ideja nuk është nxisim debatet, por të shkëmbejmë mendime, ide, shprehi, dhe ekspertizë në përpjekje për të ndihmuar Shqipërinë që të dalë si një demokraci e fortë dhe e padiskutueshme.
Çfarë do të thotë kjo demokraci, kjo demokraci e fortë? Mbi çfarë themelesh qëndron ajo? Shtylla e thjeshtë e një demokracie është besimi tek njerëzit. Qeveria në një demokraci beson tek populli i saj dhe, në fakt, qeveris vetëm me anë të pëlqimit të qytetarëve të saj. Në një demokraci të tillë, roli dhe funksioni i shërbimeve informative janë veçanërisht delikate. Dhe një gjë e tillë ndodh në çdo demokraci, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe këtu në Shqipëri.
Roli i shërbimeve informative është të mbrojnë sigurinë e vendit. Por të gjithë ne kemi parë shumë shpesh, në ato vende që nuk janë demokratike, që ai rol shtrembërohet dhe, në fakt, shndërrohet në rol për të mbrojtur ata që janë në pushtet pikërisht nga ata njerëz që ata qeverisin.
Prandaj, përvoja historike e të gjitha vendeve të përfaqësuara në këtë tryezë tregon që duhet siguruar roli i pavarur i një shërbimi informativ dhe që duhet vendosur me kujdes drejtpeshimi dhe duhen përcaktuar me kujdes përgjegjësitë e një shërbimi të tillë, sidomos kur këto përgjegjësi mund të marrin një natyrë të brendshme.
Për rrjedhojë, është e nevojshme të sigurohet që aty ku kërkohen veprimtari të caktuara të brendshme, ato të kryhen të lira nga ndikimi politik dhe kjo çon drejtpërdrejt tek nevoja që ata që punojnë në shërbimet informative të jenë jopartiakë dhe absolutisht profesionistë.
Mendoj që përvoja e Shteteve të Bashkuara me shërbimin informativ shqiptar pasqyron plotësisht përvojën që sapo përshkroi Ambasadorja McIlëham dhe kjo, në vetvete, pasqyron se sa rrugë të gjatë kanë bërë shërbimet informative në Shqipëri, nga një kohë kur ishin faktikisht një instrument i pushtetit sundues aty ku janë tani: një agjenci me reputacion të fortë dhe reputacion për profesionalizëm.
Të gjithë ne që jemi mbledhur këtu jemi përfaqësues të dy prej organizatave dhe institucioneve më të mëdha ku Shqipëria dëshiron të jetë pjesë – NATO dhe Bashkimi Europian. Dhe mes të gjithëve ne, të gjithë përvojave tona, ekziston shumë ekspertizë, një histori e gjatë përvoje në ndjeshmëritë dhe nevojat për drejtpeshime, kontrolle dhe balanca, ndarje të pushteteve, përgjegjësi të përkufizuara, që janë të rëndësishme për një shërbim informativ në një demokraci.
Besoj që të gjithë ne, me anë të pranisë sonë këtu, po themi se jemi të gatshëm të ndihmojmë për ofruar të gjitha këto shërbime për të parë reformat e shërbimit informativ në Shqipëri, në përpjekje për ta bërë atë më të mirin e mundshëm. Dhe veçanërisht, për të shmangur gabime që do ta çonin procesin e ndryshimit në shërbimin informativ në drejtimin e gabuar.
Në këtë mënyrë, po kthehem tek ajo që thashë në fillim – besimi. Nxis ata që janë në procesin e hartimit të këtij projektligji që të besoni miqtë tuaj duke i lejuar t’ju ndihmojnë për të krijuar një shërbim informativ, në themel të të cilit qëndron besimi në popullin shqiptar.








