Sarajevës. “Ne vlerësojmë gjithashtu mbështetjen e Bashkimit Europian për ndërmarrjen e reformave që kanë të bëjnë me konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe zhvillimin ekonomik e social të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit si e vetmja mënyrë që garanton demokratizimin dhe europianizimin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh deputeti Ditmir Bushati.
Ne, vijoi ai, falenderojmë partnerët europiane për mbështetjen e posacme që po i japin procesit të liberalizimit të vizave dhe procesit të kandidimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por shprehim shqetësimin tonë për pengesat që po i vë këtij procesi në vijimësi zoti Berisha.
“Ne e konsiderojmë shtyrjen e miratimit të Rezolutës së Parlamentit Europian për ecurinë e progresit të Shqipërisë si një shans të dytë për reflektim që po i jepet kryeministrit. Shpresojmë që ai të dijë ta shfrytëzojë këtë shans duke bërë hapa konkrete drejt kompromisit që garanton transparencën kushtetuese të zgjedhjeve të 28 qershorit”, theksoi Bushati.
Ne, shtoi ai, e çmojmë apelin e djeshëm të Komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule për zgjidhjen e krizës politike përpara se propozimi i Komisionit Europian për heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë të shqyrtohet nga parlamenti europian dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian. “Pikërisht për këtë arsye Partia Socialiste i ka bërë të gjitha hapat e saj duke pranuar kompromisin për hir të interesit të madh publik që edhe transparenca të bëhet, edhe vizat të liberalizohen, edhe kushtet për reformat e integrimit të krijohen”, insistoi ai. Prandaj sot, nënvizoi Bushati, e përsërisim apelin tonë për Sali Berishën që të qetësohet dhe me maturi të pranojë zgjidhjen që ka në tavolinë.







