TIRANE - “Negociojnë më mirë të majtët por fitojnë gjithmonë të djathtët”. Kështu u shpreh kreu i Partisë Aleanca Demokratike Neritan Ceka
në lidhje me historinë e negociatave politike mes dy kampeve në të shkuarën.
Ceka deklaroi se nuk duhet të pritet ndonjë gjë e madhe nga tryeza e thirrur nga kreu i shtetit Bamir Topi.
“Nuk besoj se çështja zgjidhet duke dënuar ndonjë apo disa fakirë komisionerë kur nuk vihet gishti tek plaga e zgjedhjeve”, tha Ceka.
Artikulli i mëparshëm: 08 February 2010 16:40
Topi telefonon Ramën e Berishën, tryeza e bisedimeve më 13 shkurt
TIRANE - Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi përcaktoi datën e tryezës politike mes Kryeministrit Sali Berisha njëherësh kryetar i PD dhe kryetarit të opozitës Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste.
Në një deklaratë të shpërndarë pak minuta më parë, zyra e shtypit njofton se Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, vendosi që të thërrasë tryezën politike, ditën e shtunë më 13 shkurt 2010, në orën 11.00, në Selinë e Presidentit.
Sipas njoftimit, ky vendim është marrë “në vijim të takimeve të sotme me Kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ambasadorin Helmut Lohan, me Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, me Ambasadorin e SHBA-së në vendin tonë, Xhon Uithers II.
Përcaktimi i datës së negociatave, nga kreu i shtetit, është bërë edhe pas kontakteve me Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.
Dy liderët politikë mësohet se janë kontaktuar nga Presidenti i Republikës, duke konfirmuar pjesëmarrjen në tryezë. (Lajmifundit)







