TIRANE – Lajmifundit – Bashkimi Europian është i vendosur ta konsiderojë Ballkanin Perëndimor si një
prioritet të rëndësishëm.
Kështu është shprehur sot në një konferencë për media, zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta.
Ai doli para medias pas kthimit nga samiti i Sarajevës, të cilin e konsideroi si një eveniment të rëndësishëm në raportet e Ballkanit Perëndimor me BE-në.
“Është evenimenti i tretë më i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor i organizuar nga BE. Bashkimi Evropian është i vendosur për ta konsideruar Ballkanin Perëndimor si një prioritet shumë të rëndësishëm. Ky është një moment shumë i rëndësishëm sepse në këtë mënyrë jepet një mesazh i qartë se integrimi është një moment i prekshëm”, deklaroi Meta.
Në lidhje me krizën politike, Meta tha se Kushtetuta garanton të gjitha mundësitë që të gjendet zgjidhja e ngërçit mes maxhorancës dhe opozitës.
Meta i apeloi opozitës të të heqë dorë nga qëndrimet tekanjoze që janë jashtë llogjikës së dialogut dhe frymës së një zgjidhjeje demokratike dhe konstruktive.
“Kushtetuta e Shqipërise u jep zgjidhje dhe përgjigje të gjithë pretendimeve të ngritura nga lideri i opozitës dhe për këtë duhet vullneti i tij politik”, nënvizoi Meta.
Duke folur për liberalizimin e vizave, Ministri i Jashtëm Meta tha se liberalizimi i vizave është i bazuar mbi kritere dhe standarde konkrete dhe teknike që duhen plotësuar dhe Shqipëria i ka plotësuar të gjitha përveç tre elementeve që janë në proçes.
Sipas Metës, integrimi europian është tashmë një realitet i prekshëm për Shqipërinë dhe Shqiptarët.







