Wednesday, Sep 08th

Last update:12:07:47 AM GMT

You are here: Sociale Aktuale Parkimi me pagesë në Tiranë, projekt pilot në disa rrugë

Parkimi me pagesë në Tiranë, projekt pilot në disa rrugë

E-mail Print PDF

TIRANE-- Lajmifundit-- Nga data 15 gusht, parkimi në disa rrugë qendrore të Tiranës do të  jetë me para. Si të tilla janë vendosur fillimisht parkimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit nga ministritë deri tek ura e madhe, segmenti rrugor nga kryqëzimi i rrugës “Myslim Shyri” deri tek ura e re. Në listën e zonave të parkimit me para është përfshirë edhe sheshi para stadiumit “Qemal Stafa”, ku pagesa ka kohë që aplikohet. Vetëm për një orë parkimi, qytetarët do tu duhet të blejnë një  biletë që kushton 100 lekë, dhe ku është vendosur data dhe ora e blerjes.

Këtë biletë duhet ta  vendosin në një vend të dukshëm para xhamit të makinës,  në të kundërt policia bashkiake do të largojë automjetin nga vendi i parkimit. Ky projekt pilot do të zbatohet në fillim në këto zona ku nuk ka shumë banorë rezidente.

Sipas bashkisë kjo është një mënyrë për të ulur trafikun, dhe për të evituar lëvizjet e kota të automjevete në kryeqytet. Banorët rezidente do të pajisen me një kartë që tregon se ata janë banorë pranë këtyre zonave.

“Ideja është që të ngrihet një sistem i ri i administrimit të parkimit, ku të ndahet sistemi i shitjes së biletës nga sistemi i kontrollit, ku qytetarët të cilët do të parkojnë në vende të caktuara, si parkim publik me pagesë, duhet të shkojnë në pika të caktuara, të marrin biletën me të cilën mund të vendosin muajin, ditën dhe orën në të cilën ndodhen dhe e vendosin tek pjesa e brendshme e xhamit. Pas kësaj, strukturat e Policisë Bashkiake që bëjnë kontrollin ose konstatojnë se qytetari i cili ka parkuar nuk ka prerë biletën përkatëse, marrin masat përkatëse administrative, si heqjen e mjetit me karroatrec”, thuhet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës.

Projekti synon evitimin e ndotjes urbane të Tiranës dhe lehtësimin e trafikut në zonat më vitale të kryeqytetit. Projekti i parkimit me pagesë përfshin të gjithë qytetin e Tiranës, ku nuk është e parashikuar vetëm bileta, por është e parashikuar dhe pagesa nëpërmjet telefonisë celulare. Gjithashtu janë parashikuar vendet për rezidentët, vendet për njerëzit me aftësi të kuafizuara, vendet për vizitorët, pra është një projekt i plotë, por si testim i sistemit të ri të administritmi të parkimit, në kuadër të mirëmenaxhimit të trafikut, rreth e rrotull qendrës së qytetit, kjo është faza e parë e tij.