Lajmi i fundit

Nishani takon Fleckenstein: Nuk ka platformë për reformën në drejtësi

nishan fleckensteinPresidenti i Republikës Bujar Nishani, priti sot në një takim Raporterin për Shqipërinë, njëkohësisht Nënkryetar i Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, zotin Knut Fleckenstein. Presidenti i Republikës përcolli vlerësimin dhe mirënjohjen për institucionet europiane, Parlamentin Europian, dhe posaçërisht angazhimin e dy familjeve të mëdha politike, të cilat përmes dy eurodeputetëve me peshë e eksperiencë u angazhuan për rikthimin e normalitetit të jetës parlamentare në Shqipëri.

Presidenti theksoi se për Shqipërinë nuk ka asnjë alternativë tjetër ndaj integrimit europian, edhe pse ky është një proces, dhe si i tillë do të marrë kohën e nevojshme për t’u realizuar, të ndihmuar, në partneritet dhe bashkëpunim me Bashkimin Europian.

Eurodeputeti Fleckenstein vuri në dukje se bashkë me shumicën e kolegëve të tjerë në Parlamentin Europian ndan bindjen se Shqipëria i përket Europës, dhe se anëtarësimi i saj është çështje kohe. Ai nënvizoi se shteti ligjor, një kulturë politike europiane dhe angazhimi më i madh i shoqërisë civile janë tre çështje thelbësore të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Në kuadër të hartimit të raportit mbi shkallën e realizimit të reformave që ka bërë Shqipëria, që do të miratohet së afërmi në Parlamentin Evropian, biseda u përqendrua në ecurinë e reformës në drejtësi dhe marrëdhëniet ndërinstitucionale.

Presidenti informoi me keqardhje se ende nuk ka një platformë të reformës në drejtësi, por ka një ngecje në linjën e retorikës politike, duke tërhequr gjithashtu vëmendjen mbi ndryshimet ligjore fragmentare e të njëanshme, të cilat po vazhdojnë pavarësisht angazhimit për një reformë tërësore dhe gjithëpërfshirëse, veçanërisht me domosdoshmërinë e përfshirjes së Komisionit të Venecias.

Presidenti i Republikës e garantoi eurodeputetin Fleckenstein se do të qëndrojë i palëkundur në mbrojtje të parimeve kushtetuese dhe standardeve europiane, në shërbim të qytetarëve shqiptarë dhe të avancimit të agjendës europiane të vendit.

loading...

Artikuj te ngjashem

Nje koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close